Kurti: Mbi 1 miliard euro janë investuar në KEK deri më tani, por gjendja është si e pasluftës

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë mbajtur sot një konferencë për media rrreth qëndrimeve të Qeverisë për tarifat e reja të energjisë, të propozuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të hënën, në një raport konsultativ që parshkruante shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Kurti gjatë fjalimit të tij në këtë konferencë, tha se si pasojë e krizës globale që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë në nivelet e papara deri më tani, dhe për shkak të avarive në termocentralet e KEK-ut, që e kanë rritur nevojën tonë për të importuar energji, ZRRE përkitazi me përgjegjësitë dhe kompetencat e saj, ka filluar me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave.

Ligjërisht, sipas Kurtit, ZRRE-ja dhe Bordi i saj janë të pavarur dhe nuk mund të ndikohen nga kushdo në marrjen e vendimeve, përfshirë edhe Qeverinë.

Reklama e sponzorizuar

Si njërën prej pikave që Kurti e përmendi si gabim në qeverisjet e kaluara ishte heqja e bllok-tarifave dhe se dëmet e marrjes së këtij vendimi janë ndjerë gjatë viteve. Ndërkaq, sa i përket ZRRE-së, ai tha se pavarësisht se ZRRE-ja e ka për obligim reflektimin e vërtetë të çmimit të energjisë, këta të fundit me vite janë mbajtur kosto fiktive.

Në këtë konferencë, Kurti shpjegoi se Qeveria e tij tashmë ka ndarë 75 milionë euro, që do të shkojnë direkt në subvencionimin e energjisë për të gjitha amvisëritë që nuk e kalojnë pragun prej 600 kWh, kurse bizneset në Kosovë nuk do të kenë fare rritje të tarifave. Krejt këto, në mënyrë që të kufizohet niveli i dëmeve në vendin tonë.

“Fatura që po e paguajmë është ajo e mosveprimit prej më se dy dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Po e ndjejmë, po ashtu, vjetërsinë e mungesën e investimit në njësi gjeneruese. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të japin sinjalin se varësia për t’u ngrohur nga energjia elektrike nuk është e qëndrueshme si praktikë. Për të kufizuar nivelin e dëmeve që këto praktika kanë shkaktuar, Qeveria ka shprehur gatishmërinë të vë në dispozicion 75 milionë euro për subvencionim në sektorin e energjisë. Për të siguruar që konsumatorët familjarë që konsumojnëd deri në 600 kilovat në orë për muaj dhe të gjithë konsumatorët biznesorë të mos kenë rritje tarife”, është shprehur Kurti.

Kurti ka kritikuar edhe qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve dhe për keqpërdorime, duke thënë se përkundër faktit që në KEK nga paslufta janë investuar më shumë se 1 miliard euro, gjendja e kapaciteteve prodhuese brenda tij, është e njëjtë si ajo e pasluftës.

“Në këto investime po të mos vidhej pamëshirshëm, siç është bërë me tenderë të shumtë, sot gjendja e KEK-ut do të ishte ndryshe se nuk do të kishte rënie të vazhdueshme të blloqeve siç po ndodh tani”, ka shtuar Kurti.

Sipas tij, nëse ishte bërë rindërtimi i tërmocentralit Kosova A, ose nëse do të ishte investuar në kapacitete të reja, kjo krizë energjetike do të mund të ishte shfrytëzuar nga Kosova për të pasur përfitime duke eksportuar energji. /Buletini Ekonomik/