Ministria e Infrastrukturës nënshkroi 25 aneks kontrata për punë shtesë më 2021

Miliona euro të paplanifikuara i ka shpenzuar në këtë vit Ministria e Infrastrukturës.

Fiks për 25 projekte, janë nënshkruar aneks kontrata, kryesisht që lidhen me projekte para dy- tri viteve. Këto kontrata janë përtrirë me kompanitë që kanë punuar në kontratën bazë, ku janë realizuar tenderët më procedurë të negociuar.

Totali i dëmtimit të buxhetit në këtë vit, nga këto kontrata ka qenë 5 milionë e 673 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Punët shtesë të cilat janë aprovuar nga MI në këtë vit, janë një rast i pa precedent deri më tani për këtë ministri, shkruan lajmi.net.

Derisa këtë vit janë lidhur 25 aneks kontrata për punët shtesë. Lajmi.net ka gjetur se në vitin e kaluar nuk ishte nënshkruar asnjë kontratë, ndërsa në vitin 2019, ishin nënshkruar 13 anekse, por shumica prej tyre kanë pasur të bëjnë për projektin e Autostradës së Gjilanit, meqë ka qenë i ndarë në disa kontrata.

Në vitin 2018 nuk është nënshkruar asnjë aneks -kontratë nga kjo ministri.

Në ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dashur të flasin lidhur me atë se ku qëndron problemi për numrin e madh të punëve shtesë që kanë dalë.

Qendrim Arifi Hulumtues i lartë në organizatën INPO thotë se, fenomeni i aneks kontratave, përkatësisht i punëve shtesë është një dukuri shumë shqetësuese.

“Ne fakt kemi të bëjmë me keqpërdorimin e dispozitës ligjore e cila lejon që të kontraktohen punë shtesë në raste te pa parashikueshme. Sipas nenit 13.10 të RrOUPP “Një kontratë nuk mund të vazhdohet, të përtërihet ose të përcjellët nga një kontratë pasuese pa administrimin e procedurës së re. Megjithatë, brenda një shume prej 10% të vlerës së kontratës një kontratë për furnizime/shërbime/punë shtesë, të cilat nuk ishin përfshirë, dhe as kryer në kontratën origjinale, por të cilat për arsye të paparashikueshme, janë bërë të domosdoshme për ekzekutimin e kontratës, mund të ofrohet për OE përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”. Pra, autoritetet kontraktuese shfrytëzojnë këtë dispozitë ani pse nuk kemi te bëjmë me punë të pa parashikueshme apo te domosdoshme. Madje në terren është vështirë e verifikueshme se a kemi te bëjmë me te vërtetë me punë shtesë apo këto rrethana janë fiktive”, tha Arifi për lajmi.net.

Ai thotë se, INPO ne disa raste ka evidentuar se nuk ka pasur fare të bëjë me punë shtesë apo me rrethana te domosdoshme, mirëpo këtë dispozitë autoritetet e keqshfrytëzojnë duke i legjitimuar edhe vazhdimet e projekteve, p.sh vazhdimi i asfaltimit te një rruge edhe për disa metra dhe se kjo nuk është në frymën e ligjit.

“Këtu bashkëfajtorë janë menaxheret e kontratave, zyrtaret e prokurimit dhe ZKA. Përfundimisht kemi të bëjmë me keqpërdorim te dispozitave ligjore”, thotë Arifi.

Në vitin 2019, MI-ja kishte ndëshkuar pesë aneks kontrata për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”, qe shprehimisht quhet “Ndërtimi i Autoudhes A7.1- Kryçzimi me disnivel A6 A7.1 ( Banullë)- Dheu i Bardhë- pjesa Kryqëzimi ne disnivel A6 A7.1 (Banullë)- Udhekryçi “Bresalc”- L=22.31 km”. Në muajin dhjetor të vitit 2021, për këtë projekt janë nënshkruar edhe dy aneks kontrata, njëra në vlerë prej 867 mijë euro dhe tjetra 138 mijë euro. Madje, kjo e fundit që është nënshkruar për lot 2, një aneks kontratë ishte nënshkruar edhe në vitin 2019, por të dy anekset kapin vlerën e rreth 10 për qind të kontratës bazë.

Arsyeja pse aneks kontratat janë paraparë me Ligjin e Prokurimit Publik është sepse gjatë ndërtimit kompania mund të has në vështirësi që nuk do të mund të parashiheshin në kontratën bazë.

Kontraktimi i punëve të cilat do të mund të planifikoheshin dhe përfshiheshin në kontratat bazë, ka ndikuar që buxheti i alokuar për projekte tjera të shpenzohen në këto aneks kontrata, rrjedhimisht mos të realizohen aq projekte sa janë planifikuar fillimisht. Megjithatë, vlen të theksohet se të gjitha aneks kontratat janë brenda limitit të lejuar prej 10%, por një numër kaq i madh nuk është shfaqur asnjëherë në këtë ministri. Grumbullimi i tyre nga vitet e kaluara ka të bëjë edhe për faktin se ish qeverisja e LDK-së për aq muaj sa e ka pasur pushtetin, 2020-2021, ka hezituar t’i nënshkruajë ato. Të gjitha janë nënshkruar nga muaji prill deri në dhjetor.

Aneks kontratat që ka lidhur ministria në këtë vit: