Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar sot pas konfiskimit të 272 pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave, pas një operacioni të zhvilluar nga Dogana dhe Policia e Kosovës në Leposaviq.
Ai ka thënë se nëse lihen që këto pajisje të punojnë pandërprerë, atëherë të njëjtat do të shpenzojnë afërsisht 300 mijë kWh energji elektrike. Këtë shpenzim të madh sasior, Murati e quajti edhe si shpenzim mesatar të 500 shtëpive.
Tutje, sipas kalkulimeve të ministrit Murati, me çmimet aktuale të importit, i bie që 60 mijë deri në 120 mijë euro do të ketë shpenzim mujor për importin e energjisë me këto pajsije.
“Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka përfunduar reagimi i ministrit Murati. /Buletini Ekonomik/