Në Aeroportin e Prishtinës, më 2021 pati gati dyfish udhëtarë në krahasim me një vit më herët

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në vitin 2021 u ka shërbyer gati 2.2 milionë udhëtarëve, që paraqet rritje prej 97 për qind më shumë se një vit më herët kur bota u përball me më shumë izolime si pasojë e pandemisë.

Sipas njoftimit nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, muaji gusht ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 383,776 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 340,446 udhëtarë, ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajit prill me 79,278 udhëtarë, pasuar nga muaji shkurt me 96,442 udhëtarë.

Gjatë vitit 2021 janë realizuar 8,921 nisje fluturimesh, apo 92% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,517 dhe 1,367 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 370.

Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli, Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, Suedia e kështu me radhë.