Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të aplikojë urgjentisht masa stimuluese shtesë si dhe të bëjë pagesën e subvencioneve të mbetura.
Kryetari i Shoqatës se Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, tha për Radio Kosovën se gjendja e fermerëve është e mbingarkuar pas rrethanave të krijuara së fundmi në sektorin e bujqësisë dhe kërkesave të vazhdueshme të fermerëve për përkrahje.
Për shkak të ngritjes enorme të çmimeve të inputeve bujqësore dhe kostos tepër të lartë të prodhimit të ushqimit të kafshëve, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit ka kërkuar nga qeveria, përkatësisht nga Ministria e Bujqësisë që urgjentisht të aplikojë masa stimuluese shtesë dhe të bëjë pagesën e subvencioneve të mbetura.
Kryetari i Shoqatës se Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, i tha Radio Kosovës se qeveria duhet të bëjë pagesën e granteve, të cilat, sipas tij, edhe më tepër e kanë rënduar gjendjen e mbingarkuar të fermerëve.
“Kemi bërë kërkesë edhe në Ministri edhe në Qeveri që për shkak të rrethanave të krijuara të aplikohen masa shtesë dhe përkrahje shtesë, me qëllim që t’i mbijetojmë kësaj situate e cila është një goditje e rëndë për prodhuesit vendorë në përgjithësi. Këtë e them me përgjegjësi të plotë duke u bazuar në çmimet të cilat janë ngritur shumë për lëndën e parë.
Tutje, Berisha ka thënë se gjendja është tepër alarmante dhe si pasojë e rrethanave të krijuara, për çdo ditë ka mbyllje të fermave dhe zvogëlim të fondit blegtoral, përderisa në anën tjetër ka rritje të kërkesës për qumësht cilësor dhe produkte të tjera bujqësore elementare.
“Fermerët në përgjithësi kanë pasur probleme të mëdha për sigurimin e ushqimeve për kafshë, ky është një problem shumë i madh i cili ka ndikuar shumë që fermerët përpos problemeve të tjera ta kenë edhe këtë problem. Për këtë arsye kemi pasur mbyllje të fermave”, tha ai.
Berisha insiston që sa më parë të bëhet pagesa e subvencioneve sepse sipas tij, prodhuesit e qumështit janë para kolapsit. Në anën tjetër Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, ka shpallur thirrjen për aplikim për pagesa direkte për qumësht.