Raporti i Forumit Ekonomik Botëror për rreziqet globale

Siguria kibernetike dhe hapësira janë rreziqe të reja për ekonominë globale, që u shtohen sfidave ekzistuese të paraqitura nga ndryshimet klimatike dhe pandemia e koronavirusit, thuhet në një raport të Forumit Ekonomik Botëror të publikuar të martën.

Raporti i Rreziqeve Globale zakonisht publikohet përpara mbledhjes vjetore të Forumit Ekomonik Botëror në Davos, por takimi është shtyrë për të dytin vit radhazi për shkak të pandemisë.

Vetëm një në 10 anëtarë të anketuar të Forumit Ekonomik Botëror, pret që rimëkëmbja globale të përshpejtohet gjatë tre viteve të ardhshme, tregon një sondazh me afro 1000 drejtues biznesi, qeveritarë dhe akademikë. Vetëm një në gjashtë të anketuar janë optimistë për të ardhmen.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin vjetor mbi rreziqet të Forumit Ekonomik Botëror, ndryshimi i klimës shihet si rreziku numër një, ndërsa thyerja e kohezionit social, krizat e jetesës dhe përkeqësimi i shëndetit mendor, u identifikuan si rreziqe që ishin rritur më shumë që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.

Qeveritë duhet të ndryshojnë strategji duke u përqëndruar tek e ardhmja”, tha drejtoresha menaxhuese e WEF, Saadia Zahidi.

“Qeveritë duhet të punojnë përmes veprimeve balancuese. Duhet të zhvendosin vëmemdjen nga gjendja e emergjencës dhe stimujt financiarë, drejt rimëkëmbjes dhe investimet për të ardhmen”, tha drejtoresha menaxhuese e Forumit Ekonomik Botëror, Saadia Zahidi.

Sipas sondazhit, moti ekstrem u konsiderua rreziku më i madh në botë për periudhën afatshkurtër dhe një dështim për veprime klimatike në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë – dy deri në 10 vjet.

Marrëveshja në konferencën e klimës (COP26) të OKB-së në nëntor të vitit të kaluar u përshëndet gjerësisht për mbajtjen gjallë të perspektivës së kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius, por shumë nga afro 200 vende donin që konferenca e Glasgout të miratonte më shumë objektiva.

Ndryshimi i klimës tashmë shihet si kontribues në modelet më ekstreme të motit.

Peter Giger, shefi i grupit për rreziket në kompaninë “Zurich Insurance”, i cili ndihmoi në përpilimin e raportit, tha se dështimi për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike mund të tkurrë Prodhimin e Brendshëm Bruto në shkallë globale me një të gjashtën dhe se angazhimet e marra në konferencën për klimën ende nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivin 1.5 gradë Celsius.

“Një nga pasojat e rëndësishme afatgjata të pandemisë është efekti që do të ketë në aftësinë e botës për të adresuar këto sfida të rëndësishme mjedisore,” tha Peter Giger.

Raporti i Forumit Ekonomik Botëror thekson gjithashtu katër fusha të rrezikut – sigurinë kibernetike, një tranzicion të çrregullt klimatik, presionet e migracionit dhe konkurrencën në hapësirë.

Perspektiva e 70,000 lëshimeve satelitore në dekadat e ardhshme, përveç turizmit hapësinor, ngre rrezikun e përplasjeve dhe rritjes së mbetjeve në hapësirë.

Takimi i Davosit, që zhvillohet në janar, është shtyrë deri në mesin e vitit 2022 për shkak të pandemisë./voa