Deficiti tregtar i Kosovës arrin në 544.4 milionë euro, eksportet mbulojnë importet me vetëm 14.7%

Deficiti tregtar i Kosovës ka shënuar rritje prej 4 për qind në muajin maj 2026, duke arritur në 544.4 milionë euro, ndërsa eksportet kanë mbuluar importet me vetëm 14.7 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, vlera e eksporteve të mallrave gjatë muajit maj ka arritur në 94.1 milionë euro, që paraqet rritje prej 15.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, importet kanë arritur në 638.6 milionë euro, duke shënuar rritje prej 5.6 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.

Të dhënat tregojnë se metalet bazë dhe artikujt prej tyre vazhdojnë të dominojnë eksportet e Kosovës me 27.5 për qind të totalit. Pas tyre renditen plastika dhe goma me 11.1 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10.7 për qind, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.9 për qind.

Në anën tjetër, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe të importeve me 15.2 për qind, të ndjekura nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 12 për qind, si dhe mjetet e transportit me 11.7 për qind.

Sa i përket partnerëve tregtarë, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë destinacion i rëndësishëm për eksportet kosovare. Eksportet drejt tregut të BE-së kanë arritur në 30.8 milionë euro, ose 32.7 për qind të eksporteve totale, me Gjermaninë, Italinë dhe Holandën si partnerët kryesorë.

Ndërkaq, eksportet drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 43.1 milionë euro, duke përbërë 45.7 për qind të eksporteve totale dhe duke shënuar rritje prej 24.6 për qind. Partnerët kryesorë në këtë treg mbeten Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

Eksportet drejt vendeve të tjera kanë arritur në 20.3 milionë euro, ku Zvicra dhe Turqia mbeten tregjet më të rëndësishme për produktet kosovare.

Në anën e importeve, 47.2 për qind e mallrave vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, 13.4 për qind nga vendet e CEFTA-s, ndërsa 39.5 për qind nga vendet e tjera, me Kinën dhe Turqinë si furnizuesit kryesorë të tregut kosovar. /Buletini Ekonomik/