Rizvanolli: S’kemi mundur ta evitojmë krizën duke blerë rrymë me kontrata afatgjata

Artane Rizvanolli
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, rreth krizës energjetike, e ka quajtur mit një kritikë që disa nga deputetët e kanë përmendur, duke thënë se Kosova ka mundur ta evitojë apo ta zbusë krizën energjetike, duke blerë rrymë më herët.

Ministrja Rizvanolli tha se nuk ka asnjë shtet në Evropë që e ka evituar krizën përmes kontratave afatgjata.

“Ekziston njëfarë miti, të cilin s’e dimë se kush e ka zbuluar, se ka mundur të blihet energjia me kontrata afatgjata. Më thoni, cili shtet në Evropë ka arritur ta evitojë krizën përmes kontratave afatgjata? Në cilin vend është zbutur kriza përmes kontratave afatgjata?”, tha ajo.

Reklama e sponzorizuar

Rizvanolli tha se “kjo krizë energjetike i ka shpërfaqur të gjitha mangësitë dhe dobësitë e sistemit energjetik të cilat tha se janë pasoja të “vendimeve të gabueshme apo mosvendimeve në 20 vitet e kaluara”.

Por asaj, reagoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se një gjë e tillë ndodh me Ibër-Lepencin, që shet energji prej 50 euro megavatin.

“Ibër-Lepenci sot e shet diku 50 euro megavatin e energjisë elektrike. Kontratë që është bërë më herët, ndërsa Kosova është duke i shitë një kompanie 10 herë më lirë se sa është duke shkuar në bursë ndërkombëtare”, tha ai.

Ministrja tha se kjo kontratë ka klauzolë arbitrazhi dhe po shqyrtohen gjitha mundësitë për të dalë nga kontrata pa dëme. Madje ajo tha se kjo kontratë është dërguar në hetuesi te krimet ekonomike.

“Jam informuar se kjo kontratë ka klauzolë arbitrazhi si shumë kontrata të institucioneve që janë lidhura nga ndërmarrjet publike dhe na kushtojnë me qindra dhe miliona në muaj. Rrjedhimisht kontrata nuk ka mundur të ndërpritet pasi është llogaritur se dëmet mund të jetë më mëdha se fitimet. Megjithatë unë kam kërkuar nga ndërmarrja që të shqyrtohen mundësitë për të dalë nga kjo kontratë e dëmshme”, tha ai.

Lidhur me kontratat afatgjate të energjisë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se një gjë të tillë e ka bërë edhe shteti i Maltës.