Rreth 200 qytetarë morën pjesë në protestën e djeshme kundër shtrenjtimit të rrymës

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së djeshme, të organizuar nga qytetarët, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, kanë marrë pjesë rreth 200 vetë.

Përmes raportit 24-orësh, Policia ka bërë të ditur se rreth 200 protestues, pakënaqësitë e tyre rreth shtrenjtimit të energjisë i kanë shfaqur me mbishkrime.

Sipas Policisë, çdo gjë ka kaluar pa incidente, ndërsa njësitë policore e kanë monitoruar në vazhdimësi protestën.

Reklama e sponzorizuar

Dje, edhe Buletini Ekonomik ka raportuar se qindra qytetarë ishin mbledhur për të protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, dhe të njëjtit më pas kishin marrë rrugën drejt objektit të Qeverisë.

Me moton e kësaj proteste ‘Asnjë centë ma shumë’, qytetarët po kërkojnë që të mos ndodhë shtrenjtimi i rrymës si dhe është duke u kërkuar që të mos aprovohet bllok-tarifa e propozuar nga Zyra e Rregullatori të Energjisë (ZRrE).

Gjithashtu, protestuesit patën edhe një kërkesë tjetër, që të nacionalizohet ndërmarrja e KEDS-it.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ditë më parë ka publikuar raportin konsultativ që parasheh shqyrtim urgjent të tarifave të energjisë dhe njëkohësisht shtrenjtim të energjisë për konsumatorët në vend.

Ky raport, është në konsultim publik për qytetarët dhe të gjitha institucionet relevante deri më datë 31 janar 2022, që t’i dërgojnë komentet dhe sygjerimet e tyre lidhur me tarifat e propozuara. Pas datës 28 janar 2022, që ishte planifikuar si afati i fundit për dërgimin e komenteve, ZRRE-ja mbrëmë ka shtyrë këtë afat edhe për tri ditë, duke e lënë si afat përfundimtar datën 31.01.2022. /Buletini Ekonomik/