Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e eksporteve të Kosovës për në Gjermani për 39 për qind.
Sipas kësaj Ode, Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova, për disa kompani gjermane, janë territore akoma të paeksploruara, por me shumë potencial për gjetjen e furnitorëve të rinj. Kështu, prodhuesit kosovarë mund të ofrojnë produkte cilësore që transportohen në rrugë më të shkurtra dhe më të shpejta, sesa në rastet kur furnizimi i Gjermanisë me mallra bëhet nga Azia.
Sipas njoftimit të OEGJK-së, duke e ditur këtë fakt, këta të fundit kanë sjellë blerës gjermanë në Kosovë duke i takuar me kompanitë anëtare, të cilat në të ardhmen edhe mund të bëhen furnitorë potencial për ato kompani. Gjithashtu, OEGJK thotë se kanë përkrahur kompanitë gjermane nga sektori i përpunimit të metalit, plastikës dhe drurit, që të gjejnë partnerë potencialë në Kosovë.
“OEGJK ka ndërtuar ura lidhëse me gjashtë shoqata gjermane në sektorin e ndërtimtarisë, për të mundësuar kontakt me kompani prodhuese kosovare”, thuhet në një njoftim të kësaj Ode në facebook.
Përveç këtyre, OEGJK tregon se përmes takimeve B2B në kuadër të Konferencës Western Balkans Purchasing Initiative, ku OEGJK është partner, janë krijuar mundësi të reja për kompanitë anëtare të OEGJK-së që te fillojnë bashkëpunimin me kompani të ndryshme gjermane dhe rrjedhimisht ta rrisin eksportin. /Buletini Ekonomik/