Sa vlen paga në Shqipëri, diferenca me rajonin dhe Perëndimin

Paga minimale në Shqipëri jo vetëm është më e ulëta në Evropë, përveç Kosovës, por ajo vlen shumë më pak, nëse llogaritet se çfarë mund të blesh me të.

Eurostat, krahas publikimit të pagës minimale në vlerë, jep edhe treguesin e pagës minimale, të matur sipas standardit të fuqisë blerëse.

Ndërsa diferenca me Bullgarinë për pagën minimale në vlerë është rreth 17 për qind, kur matet sipas standardit të fuqisë blerëse, hendeku thellohet ndjeshëm, sidomos me vendet e rajonit, të cilat rezultojnë se kanë një kosto jetese më të lirë.

Reklama e sponzorizuar

Standardi i Fuqisë Blerëse (PPS) është një njësi e përbashkët artificiale e monedhës referente e përdorur në Bashkimin Evropian, e cila eliminon dallimet e niveleve të çmimeve midis vendeve.

Pra, një PPS ju lejon të blini të njëjtin vëllim mallrash dhe shërbimesh në të gjitha vendet.

Teorikisht, një PPS mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend. Megjithatë, diferencat e çmimeve përtej kufijve nënkuptojnë se nevojiten sasi të ndryshme të njësive të monedhës kombëtare për të njëjtat mallra dhe shërbime në varësi të vendit. PPS përftohen duke pjesëtuar çdo agregat ekonomik të një vendi në monedhën kombëtare me barazinë e fuqisë blerëse të tij përkatëse.

Sipas Eurostatit, paga minimale në Shqipëri, e matur sipas standardit të fuqisë blerëse është 365 PPS, ndërsa në Mal të Zi dhe Serbi, ky indikator është rreth 590-600 PPS, pothuajse dy herë më e lartë sesa në Shqipëri.

Koston më të lirë të jetesës në rajon e ka Maqedonia e Veriut, me PPS njësi, më shumë sesa dyfishi i Shqipërisë.

Në krahasim me shtetet e zhvilluara të Evropës, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është katër herë më e ulët, në krahasim me Gjermaninë.

Edhe të dhëna të tjera tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Evropë, në totalin e buxhetit, një tregues ky i nivelit të lartë të varfërisë.

Rreth 41 për qind e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Evropë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.

Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut, me 30.6 për qind, e ndjekur nga Bosnja e Hercegovina me 29.5 për qind, Mali i Zi me 24.5 për qind, Serbia me 23.6 për qind, të dhënat për Kosovën mungojnë.

Për Bashkimin Evropian kjo peshë është 13 për qind. Më e ulëta në Evropë është në Mbretërinë e Bashkuar me 7.9 për qind, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime e kanë rumunët me 23.1 për qind ndaj totalit.

Buxheti i lartë që shpenzojnë familjet shqiptare në raport me totalin që ata kanë në dispozicion në një muaj është tregues i varfërisë më të lartë (ushqimet janë shpenzimi i domosdoshëm për mbijetesë), por edhe çmimeve relativisht të larta në raport me të ardhurat.

Vendi ynë ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Evropë në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është ndër më të lartat Rajonale, duke iu afruar më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020. Sidomos, çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Evropës.

Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon.

Edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria mban rekord. Sipas Eurostat, shpenzimet konsumatorë finale për ushqime dhe pije jo joalkoolike ishin sa 31.5 për qind e PBB-së në vitin 2019, ndërsa vendi i dytë pas nesh është Mali i Zi me 22.7 për qind të PBB-së. Mesatarja e Bashkimit Evropian për këtë tregues është vetëm 6.8 për qind e PBB-së. /Monitor/