Duhet parë gjithanshëm shitjen e qymyrit të Kosovës në Maqedoni. Ndryshe, me nguti dhe kontrata të arritura shpejtë e shpejtë, qoftë edhe nga KEK-u, ka mundësi të pësojmë më shumë se sa të përfitojmë, eventualisht.
Mehmet Gjata
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, në prag të ndërrimit të motmoteve, ka paralajmëruar në njëfarë mënyre se pas pranverës do t’i shitet një sasi e madhe e qymyrit (linjitit kosovar) Maqedonisë së Veriut.
Ai, në konferencën për medie të fundvitit, siç kanë transmetuar mediat e shumta kosovare, ka thënë se “pas pranverës janë duke parë mundësinë e furnizimit me qymyr Maqedoninë e Veriut”.
“Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të blerë një sasi të caktuar mjaft të madhe të qymyrit nga Kosova, mirëpo për ne është gjithmonë prioritet furnizimi i njësive tonë të operimit. Ne nuk do të hymë në obligime për periudhën dimërore për shkak se e kemi me prioritet operimin e njësive tona. Sigurisht pas pranverës kur kushtet klimatike janë më të volitshme, dhe kërkesa për energji fillon të bie pak, ne jemi duke parë mundësinë që t’i furnizojmë ata me sasi të konsiderueshme të qymyrit, për çka kanë nevojë dhe mungesë në Maqedoni. Kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, ka thënë Krasniqi.
Rreth shitjes së qymyrit në vendin fqinj, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka qenë edhe më konkret. Ai ka thënë se ka biseduar me zyrtarë të qeverisë maqedonase, të cilët i kanë konfirmuar se kanë blerë nga Kosova 300 mijë tonë thëngjill. Po ashtu, ai ka thënë se i kanë kontraktuar edhe 170 mijë tonë, kanë njoftuar mediat kosovare.
“300 mijë tonë i kanë blerë nga Kosova, dhe i kanë kontraktuar edhe 170 mijë tonë thëngjill nga Kosova”, tha Tahiri.
Disa medie tona, madje para pak ditësh kanë raportuar se Kosova planifikon që Maqedonisë së Veriut t’ia shesë 3 milionë tonë thëngjill. Fillimin e negociatave mes dy vendeve për shitjen e thëngjillit e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.
“Fillojmë negociatat për mundësinë e importit të thëngjillit nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike!”, u tha në postimin e Bekteshit.
“Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim!”, u deklarua më tutje ai, sipas medieve.
Sidoqoftë, kreu i KEK-ut, e thotë publikisht se “kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”, pa sqaruar fare asnjë detaj të vetëm të kësaj kontrate eventuale të volitshme.
Ndërkohë, ky transaksion pak a shumë tregtar energjetik, ka shumë nevojë të studiohet dhe të analizohet deri në imtësinë më të vogël, për shumë e shumë arsye.
Para se gjithash, duhet analizuar pa nguti dhe gjithanshëm mënyra, apo rrugët e transportit të kësaj sasie të madhe qymyri. Nëse bëhet transporti nëpërmjet hekurudhës Kosovë – Maqedoni, mbase do të ishte procesi i transportit shumë më i thjeshtë. Por, në gjendjen që është aktualisht kjo linjë hekurudhore dhe numri i vagonëve trasportues që ka sot e kësaj dite Kosova, vështirë se mund të realizohet ky operacion kolosal transporti nëpërmjet hekurudhave kosovare. Dhe nëse nuk mund të realizohet transporti i gjithë këtij qymyri për në Maqedoni nëpërmjet hekurudhës, alternativë e vetme e transportit mbetet autorruga Kosovë-Shqipëri, e posandërtuar dhe me fare pak vite që është lëshuar në qarkullim. Këtu, ndërlikohen gjërat, gjithsesi. Sepse, nuk bëhet fjalë me këtë rast për qindra kamionë të peshave të rënda, që do të peshojnë rëndë nëpër rruget e Kosovës, pra edhe në autostradën e sapondërtuar. Sasi e madhe e qymyrit nënkupton mijëra e mijëra kamionë të peshave të rënda, të cilat do të transportonin këtë qymyr deri në shtetin fqinj. Kjo nënkupton se mijëra e mijëra kamionë të tonazheve “shumë të rënda” do të kalojnë brenda ditës, ndoshta edhe për muaj të tërë, nëpër autostradën e re Kosovë-Maqedoni, duke respektuar dhe më shumë duke mos respektuar fare standardet e ngarkimit të autostradës, dhe sidomos të urave të shumta, të gjata dhe të larta, të cilat siç dihet nga përvojat e shumta të deritashme, fare lehtë mund të dëmtohen, edhe në përmasa me pasoja dhe dëme të mëdha, nëse tejkalohen peshat që kalojnë mbi to, por edhe standardet e parapara nga projektuesit dhe ndërtuesit.
Kjo e pret Kosovën, nëse nuk analizohet deri në detaje marrëveshja eventuale për eksportin e “një sasie të madhe “ të qymyrit tonë në shtetin fqinj. Nëse ndodhë dëmtimi eventual (që realisht është i mundshëm) i vetëm një ure të Autostradës “Arben Xhaferi”, atëherë lehtësisht do të mund “barra qiranë”.
Thënë më troq, Kosova do të humb më shumë se sa do të fitonte nga eksporti eventual i kësaj sasie të madhe të qymyrit. Prandaj, që tani ky eksport i qymyrit tonë, qoftë edhe si parashikim, duhet të angazhojë ekspertë e autoritete të institucioneve tona, në radhë të parë të qeverisë (Ministrisë së infrastrukturës) për të analizuar të gjitha imtësitë, përfitimet eventuale, por edhe dëmet e lartpërmendura si të mundshme, nëse nuk saktësohen të gjitha detajet, edhe ato më margjinale të mundshme, ndryshe do të ndodhë siç ka ndodhur me shitjen e energjisë elektrike të Hidrocentalit të Ujmanit nga “Ibër- Lepenci”, ku kjo ndërmarrje (bordi i vjetër i saj) “kokë në vete” me një marrëveshje të pa konsultuar me askënd, “Ibër-Lepenci” ka shitur rrymën me çmim prej 38.11 euro për megavatë- orë, ndërsa Kosova tash po e blen atë me çmim edhe deri 300 euro për MWh.
Ose, siç ka thënë kryetarja e re e Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Hyrmet Mydyti, “përkthyer në gjuhën e një tregtari të thjeshtë, i bie që mallin tënd e blen 7-10 herë më shtrenjtë se sa je duke e shitur!”. Prandaj, duhet parë gjithanshëm shitjen e qymyrit të Kosovës në Maqedoni. Ndryshe, me nguti dhe kontrata të arritura shpejtë e shpejtë, qoftë edhe nga KEK-u, ka mundësi të pësojmë më shumë se sa të përfitojmë, eventualisht. /Buletini Ekonomik/