Shumë biznese të mbyllura dhe mijëra punëtorë pa punë

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë mbyllur shumë biznese, por janë hapur edhe mijëra të tjera. Vetëm gjatë vitit 2021 sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK), janë hapur mbi 9,000 biznese të reja.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tregon për Radion Evropa e Lirë se cilat lloje të bizneseve kanë pasur rritje gjatë pandemisë në Kosovë.

“Janë disa biznese specifike që janë pjesë e shërbimeve digjitale dhe shërbimeve nga distanca për tregjet e jashtme. Po ashtu, edhe pjesa e produkteve farmaceutike kanë pasur rritje gjatë pandemisë dhe pjesa e shërbimeve shëndetësore”, thotë Rukiqi.

Reklama e sponzorizuar

Rukiqi thotë se bizneset vazhdimisht janë ankuar për mospërkrahje nga Qeveria.

“Në përgjithësi, janë biznese që nuk e kanë pasur një stabilitet paraprak. Nuk është ndonjë sektor i veçantë, i cili realisht mund të them që ka pasur mbyllje të shumta të bizneseve, por individualisht shumë biznese edhe janë mbyllur si pasojë që nuk kanë mundur ta përballojnë këtë pandemi”, thotë Rukiqi.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisënë Kosovë, gjatë vitit 2021 janë shuar 1,330 biznese, të cilat kishin të punësuar rreth 3,300 punëtorë.

Derisa gjatë vitit 2020, sipas të dhënave, janë shuar 1,346 biznese.