Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhje në formë elektronike, ndërsa pritet që t’i miratojë masat e reja antiCOVID-19, pas rritjes së numrit të rasteve.
Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë pritet që të miratohen sot në Qeveri, ndërkaq të hyjnë të shtunën.
Masat e reja përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa edhe veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00, raporton Telegrafi.
Ndryshe, një ditë më parë është mbajtur mbledhja e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë.
Në takim është diskutuar për ndryshimin e masave antiCOVID, pasi gjatë këtyre ditëve ka pasur numër të lartë të personave të infektuar.
Pas takimit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka deklaruar se janë duke biseduar për masa të reja kufizuese, ku po shqyrtohet mbyllja e lokaleve në ora 22:00, transmeton Telegrafi.
“Do të ketë ndryshim të masave. Do të jenë në balancim me mbajtjen e shkollave hapur, ekonomisë hapur. Secili duhet të vaksinohet, kemi vaksina mjaftueshëm, është më rëndësi që të gjithë të vaksinohemi. Është shumë e mundshme që lokalet të mbyllen në ora 22:00. Ne sot do t’i dërgojmë në Qeveri propozimet”, theksoi ministri Latifi.
Për situatën me COVID-19 ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ditët e fundit disa shkolla në vend kanë kaluar në skenarin C të mësimit, atë online.
Ajo ka thënë se janë të interesuar që shkollat të mbahen të hapura.
MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID, duke njoftuar se varianti Omicron i coronavirusit tanimë është bërë variant dominues në qarkullim.
Aktualisht në Kosovë vlejnë masat kufizuese të ndërmarra gjatë vitit 2021, ku pas orës 24:00 deri në ora 05:00 vlen ora policore, ndërsa, nga 3 janari në Kosovë mund të hyjnë vetëm qytetarët që kanë marrë dy dozat kundër coronavirusit. /Telegrafi/