Qytetarët vazhdojnë të paguajnë rrymë për veriun, vetëm në janar serbët shpenzuan 4.5 milionë euro

Qeveria e Kosovës vazhdon ende të paguajë rrymën e shpenzuar nga serbët në veri. Vetëm në muajin janar të këtij viti humbjet nga mospagesa e rrymës në atë pjesë të Republikës së Kosovës janë 4.5 milionë euro.

“Vlera e humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës vetëm për periudhën janar 2023, llogaritet të jetë afër €4.5milion”, thonë nga KOSTT për Front Online.

Disa ditë më parë Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të pa-paguar në katër komunat veriore.

Reklama e sponzorizuar

Sipas aktgjykimit të Supremes, konsumatorët që kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kanë bërë të ditur për Front Online se janë në proces të vlerësimit të vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, që konstatoi se konsumatorët mund të kërkojnë të kompensohen për rrymën e paguar për veriun.

Zyra e Rregullatorit për Energji, është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi do të ndërmerr veprimet e nevojshme”, ka thënë për Front Online, Petrit Pepaj nga ZRRE.

Lidhur me vendimin e sotëm të Qeverisë për ndërprerjen e subvencionimit dhe rrymën në pjesën veriore për Front Online, ka folur kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

Shala: Qeveria tashmë është në një kaos institucional sa i përket menaxhimit të sektorit të energjisë

Deputeti i PDK-së, njëherit kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka deklaruar për Front Online se Qeveria tashmë është në një kaos institucional sa i përket menaxhimit të sektorit të energjisë.

Sipas tij, kësaj Qeverie tashmë i është shpërfaqur e vërteta korruptive në sektorin energjetik.

“Ministria e Financave tash ka probleme, ka paqartësi për mënyrën e subvencionimit dhe përsëri faktori ndëshkues do të bie mbi konsumatorët sepse Qeveria për dy vite ka ngritur dy herë çmimin e energjisë, njëherë 100% e tash 15%, njëherë në mënyrë të kombinuar e tash në mënyrë lineare dhe tash sigurisht që e ndërprenë edhe subvencionimin sepse ka shumë paqartësi për mënyrën e subvencionimit, ka shumë paqartësi për metodologjinë e zbatimit të subvencionimit dhe baza e dyshimit është krejtësisht ekonomike-korruptive, dhe normalisht që Qeveria tash duhet me ndërrua strategji, praktikë apo metodologji sepse u shpërfaqë e vërteta korruptive në sektorin energjetik publikisht”, ka thënë Shala për Front Online.

Kurse, sa i përket pagesës së energjisë për serbët në veri, Shala ka thënë se pagesa që po bëhet në atë pjesë po bëhet padrejtësisht.

“Definitivisht Qeveria është duke vazhduar të paguajë për energjinë e shpenzuar në veri padrejtësisht, duke shkelur çdo parim ligjor dhe etik, por edhe human e njerëzor sepse ka nënshkruar edhe marrëveshjen e cila do të fillonte tash e sa muaj të implementohet por e cila nuk ka filluar të implementohet dhe negociatorët si Kurti e Bislimi po i zhagisin e në anën tjetër qindra miliona euro po shkojnë në drejtim të veriut”, ka pohuar ai.

Ish-minsitri i Financave: Kjo Qeveri po udhëheq sikur me dalë nga mali

Ish-ministri i Financave Haki Shatri, ka thënë për Front Online se Qeveria Kurti është duke qeverisur sikur të dilte nga mali.

“Këta e kanë marrë me qeveris vendin sikur me qenë një vend pa asnjë lloj ligji sikur me pas dalë nga mali vendosin çka të dojnë vet dhe çka iu bie në mend. Brenda dy viteve dy herë e kanë lejuar shtrenjtimin e energjisë tash në muajin prill kur konsumi i energjisë bie dukshëm nga sezoni i dimrit dhe kjo është e pakuptimtë”, ka thënë Shatri, për Front Online.

Ndërsa, sa i përket rrymës në veri, Shatri ka deklaruar se derisa subvencionimi është ndërprerë, çmimi i energjisë është rritur e rryma në veri paguhet nga Qeveria, kjo i bie që po punohet në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

“Rryma është shtrenjtu, i paguajmë faturat e fryera për shpenzimet që bëhen në veri, nuk marrin masa për atë pjesë që me faturua energjinë në atë pjesë, këndej e ndërprenë subvencionimin në anën tjetër e rrisin çmimin dhe të gjitha këto janë masa në kundërshtim me interesat e qytetarëve, dhe të vendit, dhe sinqerisht nuk e di se çfarë janë duke menduar këta”, është shprehur ai.

Ndryshe, nga 1 prill i këtij viti qytetarët në Kosovë do t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

Ky vendim është marrë në muajin mars nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike.