Sqarime të reja rreth tarifave të energjisë elektrike

Fotografi ilustruese

Sot, gjatë debateve në seancën e Kuvendit të Kosovës u dëgjua edhe një sqarim i ri rreth çmimeve të propozuara për ngritjen e tarifave nga ZRRE-ja, do të thotë një sqarim shtesë nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi. Më pastaj, po sot, sqarimin e ri e bëri edhe zëdhënësi i VV-së. Këtë sqarim është mirë të saktësojë një orë e më parë ZRRE-ja, ngase goxha shumë ndryshon puna.

Buletini Ekonomik

Prishtinë, janar – Qëkur u bë publik (para 4-5 ditësh) raporti për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, ku u shpërfaqën propozimet e ZRRE-së për ngritje çmimi të energjisë elektrike në Kosovë dhe për rikthimin e bllok- tarifave, “defiluan” shumë e shumë sqarime e komentime, pa saktësuar decidivisht çmimet e reja të propozuara.

Reklama e sponzorizuar

Te ZRRE-ja dhe te institucionet e tjera vendimmarrëse, në gjithë këtë vërshim të vëmendjes mediatike dhe shoqërore kanë dominuar pikëpamjet për zvogëlimin e përmasave reale të çmimeve të reja të propozuara, ndërsa njohësit e rrethanave dhe realistët pak a shumë shpërfaqën koston e vërtetë të rrymës, që do ta përfshijë konsumatorin kosovarë.

Për të qenë më konkretë: ZRRE, sipas raportit, fjalë për fjalë tha “niveli i konsumit mbi 600 kWh që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë”. Të tjerët, pra ata që llogaritën me kalkulator këtë propozim, konstatuan se çmimi i propozuar është 2 herë më shtrenjtë se çmimi aktual, i cili është 0,6-7 euro/kWh, ose 200 për qind ngritje e çmimit të tashëm të rrymës, pa llogaritur plus TVSH-në, që te ne gjithnjë e paguan konsumatori.

Sipas propozimit të ZRRE-së, i përkrahur edhe nga kryeministri dhe qeveria, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj. Ose, “Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për 26.98 euro, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me 50.89 euro”.

Pa pretendime për të komentuar këto shifra, shihet se për publikun ka absolutisht shumë paqartësi.

Ndërsa, sot gjatë debateve në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, u dëgjua edhe një sqarim i ri, do të thotë një sqarim shtesë nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi. Më pastaj, po sot sqarimin e ri e bëri edhe zëdhënësi i VV-së.

Sipas tyre, te kategoria e konsumatorëve që shpenzojnë më shumë energji elektrike se 600 kilovat-orë, çmimi i propozuar prej 21 centësh për kilovat-orë do të paguhet vetëm për sasinë e rrymës mbi 600 kilovat-orë. Më saktësisht, siç thanë ata, nëse shpenzimi tejkalon 600 kW, ta zëmë bëhet 650 kW, nuk paguhen 650 kW me tarifën e shtrenjtë, por vetëm tejkalimi i 600 kilovat-orëve, pra me çmim të shtrenjtë në këtë rast, paguhet vetëm 50 kilovat-orë. Pra, deri 600 me tarifë të njëjtë, 50 me ndryshim.

Sipas tyre, në heshtjen e këtij saktësimi qëndron manipulimi i opozitës. Sidoqoftë, shpjegimet e shumta rreth çmimeve të reja dhe dualizmi për to, duhet të saktësohen nga ZRRE-ja. Kjo mund të bëhet shumë shpejtë dhe lehtësisht. Nëse vlen shpjegimi i zëvendëskryeministrit dhe zëdhënësit të VV-së, ndryshon goxha shumë puna. ZRRE duhet të bëjë një orë e më parë sqarimin dhe në asnjë mënyrë të bëjë përpjekje të relativizojë problemin dhe pasojat që do ta kishin ngritja enorme, siç është propozuar fillimisht, e çmimeve të energjisë elektrike në Kosovën e varfër. /Buletini Ekonomik/