Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se do të mbajë seancën e tij të parë për këtë vit, më datë 14 janar 2022 prej orës 10:00, në zyrat e ZRRE.
Sipas një njoftimi nga vet ZRRE-ja, si pika e parë e rëndësishme në këtë mbledhje do të jetë së pari vendimi për shqyrtimin e Vlerave Hyrëse dhe Shpenzimeve Operative të Furnizuesit me Shërbim Universal, që aktualisht mbahet nga KESCO, për periudhën 2022-2024, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërsa, disa prej vendimeve tjera do të jenë edhe shqyrtimet e disa kërkesave për marrjen e autorizimeve për vet-konsum për ndërmarrjet aplikuese.
Këto ndërmarrje që kanë kërkuar autorizim për vet-konsum janë: “PROEX” SH.P.K (Mitrovicë), “INTERING” SH.P.K, NTPV – T “KASTRATI”, “HIB PETROL” SH.P.K dhe “ECPRESS POSTA” SH.P.K.
ZRRE tutje njofton se seanca e Bordit përveç që është e hapur për publikun, po ashtu do të transmetohet drejtpërdrejt përmes profilit në facebook.
“Mediat dhe publiku, do të informohen me vendimet e Bordit gjithashtu edhe nëpërmjet komunikatës dhe vendimeve formale që do të bëhen publike në faqen zyrtare të ZRRE-së: www.ero-ks.org”, përfundon njoftimi i tyre. /Buletini Ekonomik/