Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë, pas paralajmërimeve për kthimin e bllok tarifave në sistemin energjetik të Kosovës, kanë deklaruar se kjo strukturë tarifash do t’i favorizojë konsumatorët që e kursejnë energjinë.
Gjatë ditës së djeshme, ZRRE ka propozuar dy blloqe tarifash për konsumatorët shtëpiak. Kështu, blloku i parë, për konsumin deri në 600 kWh, e reflekton energjinë që mund t’i alokohet çdo konsumatori në bazë të nivelit të prodhimit që mund ta ofrojnë kapacitetet vendore. Ky nivel i konsumit mund të ofrohet çmim të përafërt me tarifën ekzistuese.
Ndërsa në rastet kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kËh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi, dhe mu për këtë arsye, sipas ZRRE-së, çmimi i energjisë mbi 600 kWh duhet të reflektojë çmimin e importit, përcjell Buletini Ekonomik.
Në një njoftim për media nga ky zyre, ata thonë se në këtë kohë, jo vetëm Kosova, por i tërë kontinenti evropian po ballafaqohet me krizë të energjisë dhe me rritje të paprecedentë të çmimeve, rritje kjo që është reflektuar në rritje të kostos së energjisë së importuar në Kosovë.
“Ftojmë të gjitha palët e interesit t’i bashkohen procesit të konsultimit publik të ZRRE-së dhe të ofrojnë komente e sugjerime për qëndrimet e ZRRE-së në formë të propozimeve që mund ta ndihmojnë tejkalimin e krizës me ndikim sa më të ulët në tarifat e konsumatorëve”, përfundojnë nga ZRRE. /Buletini Ekonomik/