Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, që nga fundi i shtatorit dhe në gjithë këto ditë të tetorit ”ngritën krye” çmimet jo pak të ngritura, sidomos të perimeve që kosovarët i përdorin tradicionalisht për turshi (speci, domatja), por edhe disa produkte bujqësore, që sivjet për shkak të temperaturave enorme të larta, rendimentet në arat e fermerëve të vendit, por edhe të fermerëve në vendet e rajonit ishin tejet të ulëta siç është rasti me fasulen.
Buletini Ekonomik
Çmimet e produkteve bujqësore (të pemëve dhe perimeve veçmas, por edhe të vezëve, miellit të misrit dhe të disa produkteve të tjera), në tetor, kanë shënuar ndryshime të vërejtshme, duke dominuar ngritja e tyre te shumica e perimeve, veçmas, sikundër edhe te vezët. Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, që nga fundi i shtatorit dhe në gjithë këto ditë të tetorit ”ngritën krye” çmimet jo pak të rritura, sidomos të perimeve që kosovarët i përdorin tradicionalisht për turshi (speci, domatja), por edhe të disa produkteve bujqësore, që sivjet për shkak të temperaturave enorme të larta, rendimentet në arat e fermerëve të vendit, por edhe të fermerëve në vendet e rajonit, ishin tejet të ulëta siç është rasti me fasulen.
Këtyre ditëve, pra, pas spinaqit, që në muajt e verës, në korrik, gusht, por edhe në shtator, tregtohej me çmime rekorde të larta prej 4 dhe 5 euro kilogrami, fasulja ishte produkti tjetër, që theu rekordin e çmimit të deritashëm në tregjet tona. Në disa shtande të tregjeve të gjelbra prishtinase dhe në shumë tregje të tjera të qyteteve të vendit, fasulja arriti çmimin 8, 9, madje dhe 10 euro për një kilogram, që është çmim mbi të gjitha çmimet e deritashme të këtij produkti në Kosovë. Çmimi enorm i lartë i fasules ishte kryelajm për shumë ditë të këtij muaji në shumë medie të vendit, përmes të cilave pasqyrohej shqetësimi dhe pakënaqësia e shumë blerësve me çmimin e lartë të këtij produkti.
Të mërkurën (24 tetor 2024), reporterët e Buletinit Ekonomik kanë regjistruar në tregun kryesor të gjelbër të Prishtinës, në shtandet brenda hapësirave të tregut, ku rëndom tregtohet fasulja më cilësore dhe më e shtrenjtë, çmimin e një kilogrami nga 8, 9, por edhe 10 euro. Ndërsa, kilogrami i fasules me cilësi mesatare që javë më parë ka kushtuar 3 euro, të mërkurën tregtohej me 4 euro kilogrami.
Një njohës i ecurive të tregtimit në këto tregje, dje duke i bërë një vështrim çmimit të lartë të këtij produkti, ka thënë se sivjet as që bëhet fjalë të ketë fasule vendore në tregjet tona. Sipas tregtarëve, në tregjet e kryeqytetit vështirë të gjesh ndonjë sasi, qoftë edhe fare të vogël, të fasules së sivjetshme. Thjesht, nuk ka sivjet fasule të mjaftueshme në Kosovë.
Fermerët dhe kopshtarët e vendit, rendimentet e varfëra të këtij prodhimi i ruajnë për nevojat e veta, kështu që në tregjet tona, vetëm në raste të rralla mund të hasësh në “fasulen e re”. Sipas tij, fasulja e tregtuar me 8 euro dhe përtej për një kilogram, kryesisht vie nga importi dhe kryesisht nga shtete te ndryshme të Lindjes dhe që nuk është i sivjetshëm, por megjithatë shquhet për nga cilësia.
Por, çmimet janë ngritur, sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit e tetorit, edhe te shumë perime të tjera. Në tetor, u dyfishuan sa çel e mbyllë sytë çmimet e specave, të domateve, të vezëve në të gjitha tregjet e vendit, për të arritur në nivelin e çmimeve ndër më të lartat në rajon dhe për t’u bërë thuaja të paprekshme për një pjesë jo të vogël të qytetarëve, sidomos të atyre me gjendje të vështirë sociale dhe financiare. U ngritën në shtator dhe në tetor çmimet thuaja të të gjitha produkteve bujqësore, sidomos të perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë.
Këtyre ditëve, një kilogram i domateve, që deri në fund të gushtit tregtohej me 50 deri në 70 centë, tani ka shkuar në 2 euro dhe në raste edhe në 2,5 euro. Edhe kilogrami i specave është dyfishuar, sado që ngritja e çmimit të specave nuk është sa te domatja, prodhimi vendor i së cilës tashmë ka përfunduar, ndërsa, sipas tregtarëve, shumica e domateve është e importuar, kryesisht nga Shqipëria dhe Turqia.
Këto ditë, mund të thuhet se çmimi i spinaqit ka nis të ulet goxha ndjeshëm. Pas çmimit rekord të spinaqit, kur ky perim para dy muajsh arriti çmimin e paparë ndonjëherë prej 6-8 euro për një kilogram, tani në këto ditë të tetorit, një kilogram spinaq në tregjet e gjelbra të Prishtinës mund ta gjesh edhe me 2, 2,5 dhe 3 euro. Ndërsa sa i përket perimeve të tjera, në tregjet tona të gjelbra akoma dominojnë domatet, specat, qepët, patatet, trangujt. Dhe, hiç çmimin e lartë të domateve, të gjitha këto perime kanë çmime të ngritura, pos qepëve dhe patateve.
Qepët, që në dy tre vjetët e fundit, ditën të kenë çmime befasuese të larta, sivjet po tregtohen akoma me çmim të pranueshëm, madje mund të thuhet të ulët. Një kilogram i qepëve jashtëzakonisht cilësore, në tregjet tona këtyre ditëve kushton nga 40 deri në 50 centë, ndërsa patatja ka çmimin nga 50 centë kilogrami. Karrota, që është kryesisht prodhim i vendit, tregtohet nga 70 centë deri në 1 euro kilogrami. Prishtinasit këtyre ditëve apostrofojnë si çmim të lartë për këtë kohë, koston e lakrave, të cilat, edhe pse në njëfarë mënyre është koha e tyre, 1 kilogram i lakrave kushton 60 deri në 70 centë. Në tregjet e gjelbra të kryeqytetit nga pemët dominojnë gjatë këtyre ditëve mollët që kanë çmim thuaja të standardizuar 80 centë një kilogram, që është ndjeshëm çmim më i lartë se sa vjet në këtë periudhë. Bananet, po kështu janë të pranishme me shumica në tregjet tona të gjelbra dhe shiten nga 1,20 deri në 1,40 kilogrami dhe dardhat, që varësisht nga cilësia dhe lloji i tyre, tregtohen nga 1, 1,5 deri në 2 euro. /Buletini Ekonomik/