Furnizimet botërore të naftës diesel po tkurren, pasi rafineritë po hasin vështirësi për t’i bërë ballë rimëkëmbjes së madhe të kërkesës pas pandemisë, duke përkeqësuar mungesën botërore të energjisë që ka rritur çmimet e gazit, qymyrit dhe naftës bruto. Në një periudhë ku bankat qendrore po shqetësohen për nivelet e inflacionit, mungesa e naftës diesel do të rriste kostot e karburantit dhe transportit, si dhe do të shtonte presionet tek çmimet me pakicë.
Importet e naftës diesel në SHBA dhe Azi, nën të cilat varet Europa, kanë qenë të limituara në javët e fundit, për shkak të konsumit të madh të brendshëm për manifakturë dhe karburant. Inventarët e naftës diesel dhe naftës për ngrohje, të mbajtura në magazina të pavarura në zonën e ruajtjes dhe rafinit të Europës Amsterdam-Rotterdam-Antwerp, ranë në javën e kaluar me 2.5%, sipas të dhënave nga firma holandeze e konsulencës, Insights Global.
Stoqet rajonale ndodheshin në nivelet më të ulëta për këtë periudhë të vitit që prej 2008-s, sipas të dhënave. Çmimiet e ngarkesave të naftës diesel në Veriperëndim të Europës arritën në 114 dollarë për fuçi në ditën e Hënë, që është niveli më i lartë që prej Shtatorit 2014. Javën e kaluar, një stuhi e ashpër dimërore testoi disponueshmërinë e karburantit në SHBA, ndërsa Korea e Jugut dhe India nuk kanë pasur mundësi të mbushnin hendekun e lënë nga Kina, që ka tkurrur eksportet e produkteve të rafinuara për shkak të nevojave të brendshme./SCAN TV/