17 të arrestuar për fajde në Pejë, bllokohen rreth 5 milionë euro

Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se gjatë aksionit për fajde janë arrestuar 17 persona si dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro.

Prokurorja Sahide Gashi në një konferencë për media, sot në Pejë, tha se të dyshuarit janë arrestuar për veprën penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

“Sot para jush jam t’ju njoftoj se nga hetimet disamujore, kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë 5 milionë euro”, tha Gashi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas prokurores, 16 prej tyre iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Sot më 22.2.2022 kemi caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor do të paraqes kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj 16 persona, pasi njëri është në paraburgim. Prokuroria ka zbatuar edhe hetimet në pasuri ndaj të pandehurve, që ka bazë për të besuar se janë burim i veprës penale”, tha prokurorja Gashi.

Ymer Ymeri nga Departamenti i Krimeve të Organizuara, tha se “janë ngrirë 20 banesa dhe 104 parcela tokë”. Ai apeloi te të gjithë viktimat që kanë rënë pre e këtyre veprave penale, të paraqiten në polici dhe prokurori. /BetimipërDrejtësi/