Përpos tjerave produkte, për rritjet enorme të çmimeve të të cilave janë të njoftuar tashmë konsumatorët kosovarë, këto ditë, sërish kanë zënë të rriten edhe çmimet e barnave nëpër barnatoret kosovare.
Blendrita Avdiu
Në vendin tonë ka kohë që rritja e çmimeve, pothuajse e të gjitha produkteve, qofshin ato ushqimore bazike, qofshin të tjera-lëndë e parë, por edhe ato të energjisë elektrike, të ndërtimeve, të banesave,të paluajtshmërive etj., nuk kanë të ndalur. Çmimet po ngriten dhe në përqindje të mëdha. Në vazhdën e këtyre ngirtjeve të çmimeve, tanimë janë ngritur edhe çmimet e barnave.
Në këtë mënyrë, po atakohet gjithnjë e më shumë mirëqenia dhe standardi i kosovarëve të varfër, me të ardhurat ndër më të voglat në Europë dhe në rajon, sidomos të të moshuarve dhe personave që kanë nevojë më shumë për barna.
Pos tjerave produkte, për rritjet enorme të çmimeve të të cilave ka raportuar vazhdimisht Buletini Ekonomik, këto ditë sërish kanë zënë të shkojnë te lartë, të rriten pra, edhe çmimet e barnave nëpër barnatoret kosovare.
Aktualisht çmimi i një pakoje të barnave ‘Daleron’, është rritur për 10 centë, pra nga 40 centë sa ishte më parë, në 50 centë tani.
Njëra nga farmacistet në Fushë Kosovë, në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik tha se rritja e çmimeve të barnave është rritur përafërsisht deri në 10 për qind.
Sipas saj, kjo ka ndodhur pasiqë tek kompanitë që i marrin barnat, barnatoret në përgjithësi kanë pasur zbritje prej 10 deri në 25 për qind, varësisht edhe nga furnitori, ndërkohë që tani tek disa kompani përqindja e asaj zbritjeje ka ndryshuar, saktësisht nga 25 për qind ulje, siç janë furnizuar më parë nga një furnitor tash ka rënë në 10 për qind. Në këtë mënyrë, i bie që për 15 për qind më shtrenjtë t’i blejnë barnat.
Ndërkohë, sipas saj, kompanitë që ua kanë huazuar barnatoreve barnat me 10 për qind zbritje, aktualisht ajo zbritje ka rënë në 5 për qind.
Ajo tutje tha se barnat që shiten më së shumti gjatë kësaj kohe, domosdoshmërisht gjatë ditës, janë barnat hipertenzive, pra për tension, antibiotikët edhe analgjetikët si dhe vitaminat e llojeve të ndryshme, që tani përshkruhen nga mjekët për pacientë të shumtë edhe për ta fuqizuar imunitetin në këtë kohë pandemie dhe të gripërave sezonale.
Në anën tjetër, ajo thotë se një fakt që është për t’u shqetësuar shumë, është se që nga periudha e pandemisë ka shumë pacientë, sidomos të rinj që përdorin barna antidepresive.
Barnat për forcimin e imunitetit, siç thekson ajo, në këto tri javët e fundit janë duke u kërkuar shumë, kjo për shkak të frikës që kanë qytetarët dhe për t’u mbrojtur nga gripat sezonalë.
Ndërkohë, ajo tutje shtoi se aktualisht janë shtuar kërkesat edhe për testet për COVID-19, që mund të bëhen vetë nga pacientët.
Farmacistja në fund tha se që nga fillimi i pandemisë, nëpër barnatoret në Kosovë është ulur kërkesa për blerjen e fashave, të cilat përdoren në raste të aksidenteve.
Një tjetër farmaciste në Prishtinë, po ashtu pohoi rritjen e çmimeve të barnave në Kosovë.
Ajo në kushte anonimiteti tha se vlen të theksohet se çmimi i antibiotikëve nuk është rritur shumë, mirëpo ka lëvizur paksa kah rritja, ndërkohë që barnat kronike, siç thotë ajo kanë rezultuar me një rritje çmimi poashtu.
Sipas farmacistëve në Prishtinë, ngritja e çmimeve të shumë barnave, por edhe tendenca me paralajmërime për ngritje të tjera çmimesh të barnave, është bërë shkak i rritjes së çmimit tek prodhuesit, ngritjes së çmimeve nga furnitorët e tyre dhe ngritjes së TVSH-së.
Ajo tha se në këtë periudhë kërkesa më e madhe e pacientëve është për barnat e griprave sezonale, sidomos për ‘Taylol hot’ dhe çajra të ndryshme kundër gripeve.
Sa i përket barnave të cilave iu skadon afati, siç thekson farmacistja, ato asgjësohen në një depo të veçantë.
Në anën tjetër, edhe në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës figuron rritja e çmimeve të barnave.
Në një raport të ASK-së titulluar “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2022, konstatohet se edhe çmimi i produkteve farmaceutike në janar 2022 është rritur për 4.4 për qind, në krahasim me muajin janar të vitit 2021./Buletini Ekonomik/