Importi i mallrave në Kosovë vetëm gjatë muajit janar, arriti në 338.1 milionë euro

Edhe gjatë muajit janar të këtij viti, Kosova ka importuar mjaft shumë mallra nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Vetëm gjatë këtij muaji, Kosova ka importuar mallra në vlerë të 338.1 milionë eurove.

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) titulluar “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Janar 2022”, shpalosen të dhëna ku thuhet se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pra janarit të vitit 2021, importi ka shënuar rritje për 43.4 për qind në janar të këtij viti.

Sipas të dhënave të po të njëjtit raport, shihet se grupet kryesore për import gjatë kësaj periudhe, ishin ato të produkteve minerale të cilat e përbënin 25.6 për qind të importit, ato të ushqimeve të përgatitura, pijeve dhe duhanit që bënin pjesë në import me 10.5 për qind. Tutje me 10.1 për qind ishin makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, ndërsa me 8.3 për qind ishin metalet bazë dhe artikujt prej tyre. Kurse, me një përqindje prej 7 për qind ishin plastika, goma dhe artikuj prej tyre, me 6.9 për qind produktet e industrisë kimike, si dhe me 6.5 për qind ishin mjetet e transportit.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë kësaj kohe, Kosova ka importuar mallra edhe nga vendet e BE-së, ato të CEFTA-s si dhe nga vendet e tjera të botës.

Importet e Kosovës nga 27 vendet e BE-së ishin në vlerë prej 165.6 milionë eurove, ose 49 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 47.5 për qind.

Sipas të dhënave të ASK-së, importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga Sllovenia me 11.5 për qind, nga Gjermania me 10.6 për qind, nga Italia me 4.9 për qind, nga Danimarka 4.6 për qind, etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s gjatë kësaj përiudhe arritën vlerën e 50.8 milionë eurove, ose 15 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 41.5 për qind. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut me 5.6 për qind, Serbia me 4.8 për qind dhe Shqipëria me 3.5 për qind.

Ndërkohë, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës në janar të këtij viti, arritën në 121.5 milionë euro, ose në 36 për qind. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 11.8 për qind dhe Kina me 9.1 për qind.

Ndryshe, eksportet i Kosovës gjatë kësaj përiudhe arritë në vlerën e 64.2 milionë eurove. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/