A do të mund Kosova ta adoptojë një teknologji të akumulimit të energjisë përmes baterive akumuluese?

Ekzistojnë disa lloje të teknologjive të baterive akumuluese në botë, të cilat sot përdoren në SEE. Por, tanimë dominojnë bateritë e litiumit, që kanë cilësi të mbushjes së shpejtë dhe zbrazjes me kapacitet të lartë. Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm tek bateritë është edhe jetëgjatësia e tyre apo siç quhet ndryshe cikli jetësor. Në këtë kontekst, sa do të mund ta adoptonte Kosova një praktikë të tillë të akumulimit të energjisë përmes baterive akumuluese?

Mirjeta Shabani

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një punëtori të mbajtur për dizajnimin e Programit Kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), nga i cili, siç dihet Kosova përfitoi një fond deri në 200 milionë dollarë, tha se këto para do të përdoren për zhvillim të sektorit të energjisë, dhe sipas saj, të njëjtat do të përdoren veçanërisht për akumulimin e energjisë dhe për trajnim të fuqisë punëtore, me theks të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin energjetik.

Reklama e sponzorizuar

Rreth teknologjisë së akumulimit të energjisë dhe rreth të panjohurave evidente rreth projekteve të akumulimit të energjisë, për Buletinin Ekonomik ka sqaruar detajisht Gazmend Kabashi, një njohës i mirë i energjisë së rinovueshme dhe menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSTT.

Kabashi ka shpjeguar se si mund të bëhet akumulimi i energjisë, se çfarë projektesh duhet implementuar për këtë qëllim, dhe cilat vende kanë përvojat më të mira rreth akumulimit të energjisë? Po ashtu, shpjegon se akumulimi i energjisë, a do të shërbejë më shumë për stabilizim të sistemit të energjisë në Kosovë, të bëhet ky sistem më i qëndrueshëm, apo do të shërbejë edhe për ndonjëfarë furnizimi me energji të konsumit kosovar?

Sipas Gazmend Kabashit, teknologjia e akumulimit të energjisë është zbatuar edhe më herët, por jo me bateri, mirëpo me hidrocentrale reverzibile që në princip operojnë me një koncept të njëjtë sa i përket liferimit dhe absorbimit të energjisë elektrike. Kabashi tregon se teknologjia e baterive ka marrë shtytje të zhvillimit për shkak të rënies së çmimit të tyre si dhe rritjes së kapaciteteve të burimeve të rinovueshme të energjisë (BRE).

Ekzistojnë disa lloje të teknologjive të baterive akumuluese të cilat sot përdoren në SEE. Por, tanimë dominojnë bateritë e litiumit, të cilat kanë cilësi të mbushjes së shpejtë dhe zbrazjes me kapacitet të lartë. Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm tek bateritë është jetëgjatësia e tyre apo siç quhet ndryshe cikli jetesor. Kjo jetëgjatësi varet nga numri i mbushjeve dhe zbrazjeve totale.

Si operojnë sot këto lloj teknologjish dhe si kyçen në rrjet?

Bateritë funksionojnë në principin e shndërrimit të energjisë kimike në energji elektrike, me ç’rast energjia elektrike e këtyre baterive është e formës DC, pra rrymë e vazhduar. Për këtë arsye, Kabashi shpjegon se ato lidhen me sisteme konvertorike DC/AC, të cilat e konvertojnë rrymën e vazhduar në rrymë alternative.

Pas konvertorëve lidhen transformatorët, të cilët e ngrisin nivelin e tensionit konform pikës së lidhjes në rrjet, sqaron më tutje Kabashi.

Si operojnë bateritë në rrjetin elektrik dhe cilat shërbime mund t’i japin?

Gazmend Kabashi ka saktësuar se për shkak të karakteristikave që bateritë kanë për injektim të shpejtë dhe mbushje të shpejtë, ato përdoren për 4 qëllime të ndryshme: – për rregullim primar – rregullim sekondar -rregullim terciar dhe -zhvendosje të ngarkesës.

Shërbimi i parë përdoret për mirëmbajtjen e frekuencës së sistemit dhe brezi kohor i veprimit është 0-15 sekonda. Pra, në rast të rënies së befasishme të frekuencës bateria në mënyrë automatike injekton fuqi aktive në rrjet dhe anasjelltas, kurse në rast të rritjes së frekuencës ajo shpenzon energji, pra mbushet.

Po ashtu, edhe shërbimi i dytë është automatik dhe vepron në brezin 15 sec -15 minuta. Ky shërbim injekton dhe absorbon fuqi elektrike në bazë të sinjalit që vjen nga sistemi transmetues. Ky sinjal gjenerohet në bazë të devijimeve të sistemit në kohë reale nga ajo e planifikuar. Bateritë këtë shërbim e japin me shumë sukses, vlerëson Kabashi.

Tutje, shërbimi i tretë, sipas Kabashit, është kryesisht manual dhe aktivizohet kur devijimet në sistem janë më të larta se mundësia e rregullimit sekondar, si p.sh., rënia e paplanifikuar e njësive gjeneruese.

Ndërkohë, shërbimi i katërt zakonisht përdoret për zhvendosjen e pikut në kohë. Pra, bateria mbushet kur çmimi i energjisë është më i lirë dhe zbrazet kur çmimi është më i lartë. Pra, këtu luan rolin e furnizimit me energji atëherë kur sistemi ka më së shumti nevojë.

Kabashi ndër të tjerash, cekë se të gjitha teknologjitë akumuluese sot, mundësojnë integrimin e burimeve nga era dhe dielli, pasi që këto burime shkaktojnë jobalance të mëdha në sistem për shkak të fuqisë shumë variabile dhe parashikimit jo shumë të saktë të prodhimit të tyre.

“Sot në botë, në mënyrë intensive janë duke u instaluar kapacitete impresive të baterive. Duhet të ceket se varësisht për cilin shërbim përdoren bateritë, ato specifikohen”, thotë tutje Kabashi.

E dy karakteristikat themelore të baterive akumuluese janë: kapaciteti (MW) dhe energjia që ato vet akumulojnë (MWh). P.sh., siç thotë Kabashi, për shërbimin e rregullimit sekondar përdoren bateri me 1 deri dy orë kohëzgjatje të mbushje-zbrazjes, ndërsa për rregullim terciar dhe zhvendosje të ngarkesës, përdoren bateritë me nga 2 deri 8 orë kohëzgatje. /Buletini Ekonomik/