Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është vendosur për tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Bordit kanë votuar me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për miratimin e tarifave të reja, të cilat do të funksionalizohen nëse tejkalohet blloku i shpenzimit të energjisë mbi 800 kilovat në orë.
Sipas ZRRE-së, rreth 20% e konsumatorëve e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.
Ndërsa, 80 për qind e konsumatorëve, sipas tyre, i takojnë bllokut të parë, pra deri në 800KWh.
Pra, Bordi i ZRRE-së ka ngritur bllokun për tarifat e reja, nga 600 kWh siç ka qenë e planifikuar në raportin e parë konsultativ të ZRRE-së për shqyrtimin urgjent të tarifave të energjisë, në 800kWh, përcjell Buletini Ekonomik.
Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit në ZRRE, ka thënë se qytetarët që konsumojnë energji elektrike nën bllokun 800 kWh, nuk do të preken nga shtrenjtimi dhe të njëjtit do të tarifohen me tarifat ekzistuese siç kanë qenë deri më tani.
“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, ka thënë Fejzullahu gjatë mbledhjes.
Ndërsa, konsumatorët që e tejkalojnë bllokun e 800 kWh, me tarifat e reja do të paguajnë çmimin e importit, që për tarifën e lartë është 0.12 cent për kWh, kurse për tarifën e ulët apo tarifa e natës, do të tarifohen me 0.06 cent për kWh.
Tarifat e reja të energjisë elektrike do të zbatohen që nga dita e nesërme, pra më datë 09.02.2022, ndërsa shpenzimi i energjisë elektrike deri sot (08.02.2022) nga data 1 shkurt (siç ka qenë planifikimi për vënin në zbatim të tarifave të reja), do të tarifohet me tarifat e vjetra. Këto tarifa të reja pritet të mbeten në fuqi deri më datë 31 mars të vitit 2023, kur pritet të shqyrtohen sërish tarifat e energjisë nga ZRRE-ja, sipas planifikimeve të këtyre të fundit.
Ndërkohë, sipas vendimit të ri, për bizneset nuk do të ketë bllok-tarifë.
Kujtojmë se shqyrtimi jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë ka ardhur pas shpërfaqjes së krizës energjetike, që në muajin dhjetor 2021, kaploi edhe Kosovën. Ditët e dhjetorit, kosovarët i kaluan me reduktime 2-4 orëshe, si pasojë e çmimeve të larta të importit të energjisë në tregjet energjetike të Evropës dhe si pasojë e pamundësisë së termocentraleve kosovare të përballojnë kërkesat në pik, ku shpenzimi i energjisë elektrike kishte arritur kulmin, shkaku i ngrohjes së qytetarëve me rrymë.
Kriza e njëjtë energjetike e kishte përfshirë edhe pothuajse të gjitha shtetet e Evropës që nga mesi i 2021-s, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit në mbarë botën. Tashmë shumë shtete evropiane kanë miratuar rritje të tarifave të energjisë, por edhe ndihmesa milionëshe qeveritare për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre. Edhe Qeveria e Kosovës është zotuar se do t’i ndajë 90 milionë euro, që ta zbusë krizën energjetike, dhe t’iu vijë në ndihmë qytetarëve të saj. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/