Në MMPHI nuk ka përgjigje për ndonjë afat të finalizimit të autostradës Prishtinë-Gjilan

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mospagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këtë projekt.

Mehmet GJATA & Blendrita AVDIU

Edhe pse pati jo pak zëra kundër nisjes së autostradës Prishtinë-Gjilan dhe sidomos kundër shtrirjes së linjës së saj dhe ngutisë për ta nisur sa më shpejtë këtë autoudhë, në fund të shkurtit të vitit 2018, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj (saktësisht më 27 shkurt 2018, pas takimit të tij me Lutfi Hazirin, kryetar i komunës së Gjilanit në atë kohë), pati deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë-Gjilan, punimet e ndërtimit pritet të fillojnë brenda disa javësh. Sipas tij, kjo autorrugë ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

“Ka pasur zhurmë, por ne kemi qenë të vendosur bashkë me kryetarin (e kishte fjalën për Lutfi Hazirrin) dhe bashkë me kabinetin, që ky projekt të zhvillohet dhe tanimë merr fund dhe është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, pati thanë Lekaj më 18 shkurt të 2018-s, i cili pak ditë më parë, po më 2018, kishte nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtonte, sipas tij, 88 milionë euro në segmentin e gjatë 22.3 kilometra, të kontraktuar për ndërtim të autostradës së gjatë 47 kilometra gjithsej.

Siç dihet, kundërshtarët më të ashpër dhe më të zëshëm kundër trases së përzgjedhur dhe të përcaktuar nga Qeveria e Ramush Haradinajt, për ta ndërtuar autostradën Prishtinë-Gjilan, ishte familja Pacolli në krye me Behgjet Pacollin (ministër i Jashtëm në Qeverinë Haradinaj). Ata këmbëngulnin, se traseja e përzgjedhur anashkalon pjesën dërmuese të Karadakut, por edhe të shumë fshatrave të Komunës së Prishtinës dhe jo vetëm, dhe si e tillë ishte e gabueshme dhe se sipas tyre, kishte edhe konotacion politik.

Sidoqoftë, autostrada nisi së ndërtuari në trasen e përcaktuar nga qeveritarët e atëhershëm dhe pikënisja nga Prishtina është dhjetëra kilometra larg kryeqytetit, për çka pati jo pak vërejtje nga publiku dhe subjektet politike.

Zëvendësministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, në një konferencë për media duke folur për autostradën e Gjilanit, e cila u bë e diskutueshme edhe në shumë medie kosovare, e sidomos pas deklaratave të Pacollit se “Haradinaj e ka ndryshuar trasenë e kësaj autostrade”, pati thënë se “në aspektin politik, ne si Ministri e Infrastrukturës nga momenti i parë kemi dashtë që çdo kush që ka interesa të veta personale të mos ndikojë në ndërtimin e rrugëve në Kosovë”.

“Obligimet dhe ndërtimin e kësaj autostrade e kemi gjetur në një pozicion në gjysmë,  sepse vetëm projekti ka qenë i përfunduar. Ne i kemi marrë masat sepse realisht autostrada e Gjilanit ka qenë e nevojshme dhe ka qenë kërkesë e qytetarëve”, kishte thënë për medien Kadriu.

“Pal Lekaj nuk e ka prekë këtë projekt e kemi gjetur të tenderuar. Pal Lekaj edhe Ramush Haradinaj e kanë shty këtë projekt sepse kanë dashtë që edhe Anamorava të jetë pjesë. Autostrada e Gjilanit po lidhet me tri autostrada tjera”, nguli atëbotë këmbë para medieve Kadriu, duke shtuar se “është problem i Pacollit nëse largohet nga koalicioni”, ishte shprehur ai.

Sidoqoftë, Pacolli nuk u tërhoq nga koalicioni, autostrada nisi së ndërtuari sipas përzgjedhjes së Haradinajt e Pal Lekajt, dhe ajo edhe katër vjet thuaja qëkur nisën punët po vazhdon të ndërtohet, pa qenë e ditur se kur do të përfundojë dhe pa asnjë afat të bërë publik së fundi se kur do të finalizohen punët rreth kësaj autostrade, ndërtimi i së cilës po stërzgjatet, po tejkalon të gjitha parashikimet dhe afatet e përcaktuara në nismë të ndërtimit të saj.

Dhe, ku ka arritur ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan?

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kanë thënë për Buletinin Ekonomik se punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në gjatësi 22.37 kilometrash dhe aktualisht është duke u punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.

Në pyetjen e Buletinit Ekonomik se sa kilometra të kësaj autostrade janë ndërtuar qëkur nisi së ndërtuar kjo autorrugë, dhe sa kanë mbetur ende të ndërtohen, zyrtarët e MMPHI-së pa saktësuar shumë, kanë thënë se “në segmentin e projektuar të autoudhës së gjatë 47 kilometra janë kontraktuar 22.37 kilometra. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha ( 8 ) lotet e kontraktuara, në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”.

Për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të  mangët ndër vite për këtë projekt.

“Shkaqet e zgjatjes janë pengesat pronësore juridike të përcjellura me gabime në projektin kryesor dhe mospagesa e pronave më kohë si dhe buxheti i mangët në vite, janë faktorët kryesor deri më tani”, thonë zyrtarët, duke shtuar se janë riformatizuar planet dinamike deri në eliminimet e pengesave dhe pagesave të pronave pronarëve të vendndërtimit të Autoudhës.

“Kontratat janë të planifikuara sipas planeve dinamike veç e veç sipas loteve, por bazuar në pengesat e shpronësimeve janë riformatizuar planet dinamike deri në eliminimet e pengesave dhe pagesave të pronave pronarëve të vendndërtimit të Autoudhës”, janë përgjigjur autoritetet e MMPHI.

Në Ministrinë e Infrastrukturës duke u përgjigjur në interesimin e Buletinit Ekonomik rreth çmimit të paraparë të ndërtimit të autostradës, më konkretisht në pyetjen se deri tani, a ka tejkalime financiare në realizimin e derikëtushëm të këtij projekti, ata kanë theksuar se “Çmimi i ndërtimit të autostradës i kontraktuar ka qenë përafërsisht 88 milionë euro. Punimet janë duke u ndërtuar sipas kontratës dhe kushteve të kontratës. Nuk ka tejkalime por bazuar në terrenin e ndryshueshëm edhe problemet me projekt, ka punë të paparapara që nuk e tejkalojnë vlerën e mundësive kontraktuale deri më 10 %”.

Duhet thënë se mjetet financiare për ndërtimin e deritashëm të kësaj autostrade janë siguruar të tërat nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Po nga buxheti i Kosovës, me gjasë parashihet të sigurohen edhe paratë në vijim të finalizimit të këtij projekti.

Punimet në autoudhën Prishtinë – Gjilan janë të kontraktuara me 8 operatorë ekonomik, ose një operator ekonomik është punëkryes në një lot, kur dihet se ky segment rrugor është i ndarë në 8 lote. Në mbikëqyrje të ndërtimeve, siç thonë zyrtarët nga MMPHI, janë të caktuar menaxherët e vet ministrisë.

Në këtë ministri kanë thënë se sektorët përkatës që janë të ngarkuar në Qeverinë Kurti 2, vlerësojnë se ky projekt duhet të përfundojë në bazë të kontratave që operatorët ekonomik kanë me MMPHI-në. Po kështu, në ministri mendojnë dhe parashikojnë ta përfundojnë projektin në tërësi ndërsa se kur mendohet të përmbyllen të gjitha punët, pra të finalizohet autostrada Prishtinë – Gjilan, në MMPHI kanë thënë shkurt se “punët do të përmbyllen pasi që të eleminohen të gjitha pengesat e sipërcekura”. /Buletini Ekonomik/