Banka e Shqipërisë iu hap rrugë shpërndarjes së 233 milionë eurove fitime të bankave të para vitit 2020

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e të mërkurës të ndalojë edhe për 2022 shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare për vitin në vazhdim dhe për atë paraardhës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo masë synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat finale të vitit 2021 ende nuk janë publikuar, megjithatë statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11-mujorin 2021, fitimi neto i sektorit bankar arriti vlerën e rreth 19.15 miliardë lekëve ose rreth 157 milionë eurove. Kjo vlerë dhe fitimet shtesë që janë realizuar gjatë muajit dhjetor do të jenë objekt i vendimit të ditës së mërkurë të Këshillit Mbikëqyrës dhe nuk do të mund të shpërndahen.

Reklama e sponzorizuar

Banka e Shqipërisë pezulloi shpërndarjen e të gjitha fitimeve të bankave menjëherë pas shpërthimit të pandemisë, në mars të vitit 2020. Në janar të vitit të kaluar u mor një vendim i ri, që e kufizonte ndalimin e shpërndarjes së dividendit vetëm për fitimet e vitit 2020 dhe ato që do të realizoheshin për vitin 2021.

Edhe vendimi i këtij viti është në të njëjtën linjë, sepse, ndërsa pezullon shpërndarjen e fitimeve për vitin 2021, i lejon bankave të shpërndajnë fitimet e realizuara në vitet e mëparshme. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, deri në fund të 9-mujorit 2021, bankat tregtare kishin në bilance 28.4 miliardë lekë ose rreth 233 milionë euro fitime të pashpërndara nga vitet e mëparshme.

Në teori, këto fitime tashmë mund të shpërndahen nga aksionerët e bankave. Por, në të vërtetë, shpërndarja e fitimeve nga bankat edhe këtë vit besohet se do të jetë në nivele minimale dhe mund të aplikohet vetëm nga bankat që sigurojnë kthime relativisht të larta ose që kanë tepricë të madhe në treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Edhe pas pandemisë, sektori bankar po rritet me ritme të shpejta dhe një rritje e madhësisë së bankave kërkon edhe një nevojë në rritje për kapital, në mënyrë që të respektohen nivelet ligjore të mjaftueshmërisë së kapitalit. Për më tepër, duke filluar nga viti 2020, bankat po përballen me një rritje të kërkesave për capital, të lidhura me shtesat makrprudeciale.

Prej 1 janarit 2022, shtesa konservuese e kapitalit është rritur nga niveli 1% në 1.5%. Kjo i shtohet nivelit minimal bazë të raportit të mjatueshmërisë së kapitalit prej 12%, duke e çuar kërkesën totale në 13.5%. Por, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike.

Këtu përfshihen pesë bankat më të mëdha në vend: Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen, Banka Intesa Sanpaolo, dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera, ndërsa Intesa Sanpaolo dhe OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera.

Këto nivele do të qëndrojnë në fuqi edhe për vitin 2022, me përjashtim të BKT, që do të ketë një shtesë të mëtejshme prej 0.5 pikë përqindje. Kjo nënkupton se BKT vitin e ardhshëm duhet të ketë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit të paktën në nivelin 15%, Credins dhe Raiffeisen në nivelin 14.5%, ndërsa Intesa dhe OTP Albania të paktën 14%. Mbështetur në të dhënat më të fundit, në shtator 2021, raporti mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar ishte në nivelin 18.3%. /Monitor.al/