Borxhi kombëtar në SHBA ka kaluar 30 trilionë dollarë për të parën herë, duke ngritur shqetësime mbi qëndrueshmërinë fiskale në të ardhmen, ndërkohë që Rezerva Federale përgatitet të rrisë interesat dhe zbutur inflacionin.
Totali i borxhit publik të pashlyer ende, në principal dhe interesa, kaloi 30 trilionë dollarë ditën e Hënë, që përfshin 23.5 trilionë dollarë në borxh të mbajtur nga publiku dhe 6.5 trilionë dollarë zotërime ndërqeveritare, sipas Departamentit të Thesarit amerikan.
Borxhi kombëtar u rrit ndjeshëm në vitin e kaluar, pjesërisht prej reduktimeve të mëdha tatimore të ish-presidentit Donald Trump dhe shpenzimeve gjigante qeveritare për të luftuar pandeminë. Analistët thonë se kufiri i 30 trilionë dollarëve duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë amerikanët dhe për shëdnetin ekonomik në të ardhmen.
Rritja e borxhit erdhi pasi Kongresi kaloi ligjin në Dhjetor për të rritur limitin e borxhit federal me 2.5 trilionë dollarë në rreth 31.4 trilionë, duke shmangur dështimin e pagesave, që ka pasoja katastrofike. Rezerva Federale sinjalizoi javën e kaluar se banka qendrore është gati të rrisë normën bazë të interesit që në muajin Mars, për të luftuar inflacionin e lartë dhe ndërkohë që i jep fund politikave stimuluese të pandemisë.
Tregtarët parashikojnë një total prej 5 ndërhyrjesh prej 0.25% këtë vit, duke e çuar norëm ne fondeve federale në një varg prej 1-1.25% deri në fund të vitit. Rritja e intereave do të rrisë dhe kostot e shërbimit të borxhit amerikan. Rritja e barrës së borxhit mund të rrisë rrezikun e një krize fiskale dhe cënojë besimin tek dollari amerikan, duke e bërë më të kushtueshme për të financuar aktivitetet publike dhe private në tregjet ndërkombëtarë, sipas një paralajmërimi të zyrës së Buxhetit në Kongres (CBO). /Scan tv/