BQK ulë tarifën për depozitim të monedhave metalike

Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së, është marrë vendimi për uljen e tarifës për depozitim të monedhave metalike në valutën euro në BQK.

Nga 5,00 përqind sa ka qenë më herët kjo tarifë, tani është ulur në 3,75 për qind. Ky vendim, sipas njoftimit të BQK-së, do të jetë efektiv dhe në fuqi që nga data 1 mars 2022, përcjell Buletini Ekonomik.

 “Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për lehtësim të qarkullimit të parave të gatshme në ekonomi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë fillimvit ka rishikuar tarifat që i aplikon ndaj bankave për transaksionet e ndërsjella monetare. Rrjedhimisht, është zvogëluar tarifa për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro në BQK nga 5,00% në 3,75%”, thuhet në komunikatën e BQK-së drejtuar mediave.

Reklama e sponzorizuar

BQK-ja thotë se pret që kjo tarifë e ndryshuar të ndikojë në ngritjen e qasjes si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve, në shërbimet e bankave vendore me para të gatshme.

Tutje, BQK-ja thekson se kostoja aktuale për BQK-në për realizimin e operacioneve të lidhura me aktivitetin bankar të depozitimit të monedhave metalike, vazhdon të mbetet e konsiderueshme.

Kurse, sa i përket furnizimit me monedha metalike të denominuara në euro, BQK thotë se që nga viti 2015, tarifa e aplikueshme për bankat vendore për tërheqje është 0,00% (falas). /Buletini Ekonomik/