Kurti: Subvencionimi i plotë i importit të energjisë, i papërballueshëm për buxhetin e shtetit

Kabineti qeveritar i Kosovës

Sot, në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, pas vendimit të ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në vend, ka thënë se subvencionimi i plotë i importit të energjisë me çmimet e larta të tregut aktualisht, është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit.

Sipas Kurtit, Qeveria ka zotuar 100 milionë euro për subvencionim të energjisë, shumë kjo e cila ka mundësuar uljen e çmimit të tarifave, pas propozimit të parë, dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600kWh në 800kWh.

Vendimi i djeshëm i ZRRE-së për rritje çmimi të energjisë, pasqyron ngritje tarifash vetëm për konsumatorët që tejkalojnë bllokun mbi 800kWh, ndërsa qytetarët që shpenzojnë nën 800kWh, do të paguajnë rrymën sipas çmimit të mëhershëm.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Kurtit, nëse një familje shpenzon 850kWh, me raport 60-40 të tarifës së lartë dhe të ulët, dallimi mes dy faturave do të jetë rreth 2 euro e gjysmë, nga 49.6 në të vjetrën në 52 në të renë. Kurse, ata që konsumojnë 1000kWh, Kurti thotë se dallimi është rreth 10 euro, dhe i njëjti dallim rritet kur konsumi ngrihet.

“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit deri 7 herë më shtrenjtë se zakonisht. Në janar vetëm për një ditë kemi paguar 2.5 milionë euro për import. Kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar furnizim të pandërprerë që kriza të mos ndjehej në janar dhe dhjetor. Jemi kujdesur që gjatë këtyre dy muajve të mos ketë asnjë barrë shtesë për qytetarët. Por një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe e paqëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtij viti çmimet e importit nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme”, ka thënë Kurti.

Në bazë të të dhënave, Kurti thotë se bazuar në shpenzimet e vitit të shkuar, 70.4 për qind e konsumatorëve shtëpiakë nuk preken nga rritja e çmimeve të energjisë gjatë dimrit, kurse gjatë muajve të verës përqindja shkon afër 90.

Ndërkohë, për rastin e bizneseve, që nuk do të preken nga rritja e tarifave të energjisë, Kurti vlerëson se kjo po bëhet me qëllim që të shmanget rritja e mëtejme e çmimeve të produkteve, që në mënyrë të drejtëpërdrejtë do t’i prekte qytetarët dhe vet bizneset. /Buletini Ekonomik/