Çmimet e prodhimeve bimore janë rritur për 13.3 për qind gjatë vitit 2021

Krahas rritjes së çmimeve të produkteve bazike në Kosovë, janë rritur edhe çmimet e prodhimeve bimore dhe atyre bujqësore.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) shpjegohet se në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore është rritur për 13.3 për qind, krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka shënuar rritje për 0.2 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.

Gjithashtu raporti thekson se indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka shënuar rritje për 5.9 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Raporti i ASK-së titulluar ‘Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, 2015-2021 (2015=100)’ tregon se krahasuar me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 27.5 për qind në vitin 2021.

Në bazë të kësaj thuhet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 8.4 për qind në vitin 2021, krahasuar me vitin 2015, ndërkaq, indeksi i përgjithshëm vjetor i prodhimeve bujqësore ka rritje për 16.5 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin 2015.

I njëjti raport specifikon se prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Ndonëse në prodhimet blegtorale siç ceket në raport çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.

“Në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndryshe, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen./Buletini Ekonomik/