Vitet e fundit, Shqipëria dhe Kosova kanë njohur një forcim të bashkëpunimit ekonomik përmes marrëveshjeve të nënshkruara.
Kosova po kthehet në një treg shumë të rëndësishëm të mallrave shqiptare, por edhe e kundërta. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme nga “Agjencia e Statistikave të Kosovës”, duket se Shqipëria ka “mundur” vendet e rajonit si partnere kryesore tregtare e Kosovës.
Qeveria e Kosovës vendosi masë ndalimi ndaj produkteve nga Serbia dhe si pasojë, vlera e importeve nga Serbia ka shënuar rënie dhe duket që ka ndikuar edhe në rritjen e importeve nga Shqipëria dhe vendet e tjera, në një kohë që Maqedonia e Veriut renditet e dyta.
“Scan Intel” ka kryer një analizë të detajuar të shkëmimeve tregtare mes Shqipërisë dhë Kosovës për të parë se si ka qenë ecuria. Përgjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit 2024 shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kapin vlerën e 48.65 miliardë lekëve, nga 48.3 miliardë që ishin në të njejtën periudhë të një viti më parë. Shtysa kryesore e kësaj rritje kanë qenë importet e Shqipërisë me Kosovën, të cilat vlerësohen në rreth 14.45 mld lekë, nga 10.61 mld lekë në vitin 2023.
Pra, nga të dhënat shihet një rritje e ndjeshme e importeve. Ndërkohë, nga ana tjetër, eksportet përgjatë njëmbëdhjetë muajve me Kosovën ranë me 9.3%. Ato vlerësohen në rreth 34.2 miliardë lekë, nga 37.7 miliardë në vitin 2023. Rënia e euros ka bërë që eksportet shiptare të zhvlerësohen përgjatë vitit 2024, duke shënuar një rënie në total prej gati 14%.
Sipas të dhënave historike shkëmbimet tregtare mes dy vendeve prekën rekord në vitin 2022 dhe 2021, ku duket qartë mbështetja e dy vendve përgjatë periudhës së krizës. Ndërkohë, në vitin 2023 shkëmbimet u paraqitën me rënie. /Scan tv/