Dalin në pah efektet financiare të pengesave të zinxhirit të furnizimit në firmat industriale

Pse problemet e zinxhirit të furnizimit në botë nuk po zhduken? Dalin në pah efektet financiare të pengesave të zinxhirit të furnizimit në firmat industriale…

Zinxhirët e furnizimit janë paraqitur rrallë në raportet e të ardhurave të kompanive gjatë tre dekadave të lulëzimit të globalizimit, me përjashtim të përmendjes së herëpashershme të përfitimeve të kostove më të ulëta.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, në këtë sezon të deklarimit të fitimeve, mungesat e shkaktuara nga Covid-19 janë ndër problemet e para të përmendura nga shumë firma. Varianti Omicron ka përkeqësuar pengesat, duke i detyruar punëtorët në shumë industri të karantinohen. Dhe mungesat e stafit dhe materialeve po kontribuojnë në inflacion, duke rritur kostot për shumë kompani.

Më 25 janar, investitorët e zhgënjyer ulën çmimin e aksioneve të kompanisë GE me 6%, pasi Larry Culp, shefi i firmës industriale, tha se “erërat e kundërta” të zinxhirit të furnizimit kishin goditur veçanërisht rëndë biznesin e kujdesit shëndetësor. Të ardhurat e tremujorit të katërt ranë me 3.5%, në bazë vjetore. Në të njëjtën ditë, Gregory Hayes, shefi i Raytheon, paraqiti rezultate të përziera, duke vënë në dukje se kompania kishte “vuajtur nga ndërprerjet e furnizimit”.

Të tjerë po nuhasin vështirësitë e ardhshme. Më 26 janar, Boeing tha se zinxhirët e furnizimit nuk ishin një “pengesë” sepse prodhimi i avionëve nga kompania ishte i ulët. Por ai shtoi se lëndët e para dhe sfidat logjistike ishin “elemente që duheshin mbajtur nën vëzhgim”. Disa orë më vonë, Tesla deklaroi se pengesat e zinxhirit të furnizimit e kishin detyruar kompaninë që të operonte fabrikat e saj nën kapacitetin maksimal.

As kompanitë europiane nuk janë imune ndaj këtyre problemeve. Më 21 janar, Siemens Gamesa, gjigant i turbinave me erë, fajësoi problemet e zinxhirit të furnizimit për rezultatet e dobëta dhe uljen e fitimeve. Rivali Vestas ka shprehur shqetësime të ngjashme. Firma e konsulencës EY, ka llogaritur se firmat e listuara në Britaninë e Madhe lëshuan 19% më shumë paralajmërime për ulje fitimesh në tremujorin e fundit të vitit 2021, në krahasim me një vit më parë. Një numër rekord kompanish fajësuan ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit dhe rritjen e kostove.

Mungesat kanë arritur nivele rekord (shih grafikun). Mungesa e çipave çoi në një ulje prej 10% të prodhimit vjetor të makinave në vitin 2021, pasi firmat ulën porositë në fillim të pandemisë dhe kërkesa u rrit me lehtësimin e kufizimeve.

Shenjat e përmirësimit janë të pakta. Së fundmi, kompania Toyota tha se do të ulte prodhimin me 150,000 automjete, ose rreth 18%, në muajin shkurt, për shkak të mungesës së çipave. Kompanitë e mëdha amerikane të anketuara nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, raportuan se inventarët e tyre të çipave kishin rënë nga 40 ditë në vitin 2019, në më pak se pesë ditë në vitin 2021 – dhe nuk prisnin asnjë përmirësim për të paktën gjashtë muajt e ardhshëm. Departamenti ka paralajmëruar se mungesat e vazhdueshme mund t’i detyrojnë fabrikat të mbyllen.

Edhe transporti i mallrave vazhdon të jetë problem. Normat e transportit me kontejnerë po arrijnë nivelet rekord të verës së kaluar. Analistët nuk presin lehtësim të madh përpara gjysmës së dytë të vitit. Mungesa e punëtorëve po e bën gjendjen edhe më të vështirë.

Shoqëria e konsulencës IHS Markit vëren se fuqia punëtore e Amerikës ka një mungesë prej 4 milionë punëtorësh në krahasim me nivelet para pandemike, ndërkohë fuqia punëtore e Europës është ngushtuar nga lëvizja e reduktuar e punëtorëve emigrantë dhe ajo e Azisë nga masat e reja kufizuese. Kompania Raytheon fajësoi mungesën e saldatorëve që janë me rëndësi jetike për tehet e turbinave të motorëve reaktivë. Shoqata Amerikane e Kamionëve, një organ tregtar, tha vitin e kaluar se industria u përball me një mungesë prej 80,000 shoferësh kamioni.

Të gjitha këto kufizime janë duke shtuar kostot e pjesëve të këmbimit, materialeve dhe pagave. Me rritjen e çmimeve të energjisë, kompanitë industriale kudo po përballen me një fillim të vështirë të vitit 2022. Me të gjitha këto pengesa që tregojnë pak shenja zhdukjeje, zinxhirët e furnizimit mund të jenë një arsye kryesore pse kompanitë po përjetojnë rezultate zhgënjyese tremujore në fitime. /Monitor.al/