Europë, vetëm 15.5% e startup-eve janë themeluar nga gratë

Gratë përfaqësojnë vetëm një të tretën e të diplomuarve në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) në Europë.

Hendeku i gjinisë ndikon edhe në sipërmarrje, duke qenë se gratë përbëjnë vetëm 15.5% të themeluesve të startup-eve në Bashkimin Europian dhe përballen edhe me më shumë pengesa në marrjen e financimeve krahasuar me burrat.

E megjithatë ka disa sinjale shpresëdhënëse që vijnë në “International Day of Women and Girls in Science” (Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë) më 11 shkurt.

Reklama e sponzorizuar

Një tregues i rëndësishëm tregon se startup-et e krijuara nga gratë kanë performancë më të mirë se startup-et e themeluara nga burrat. Këtë e thotë EIT Health, organizata që mbështet zhvillimin e inovacionit shëndetësor.

Në Europën Qendrore dhe Lindore, vetëm 1% e kapitalit në dispozicion shkon për startup-et e themeluara nga gratë. Megjithatë, të dhënat tregojnë se sipërmarrëset në këtë rajon gjeografik realizojnë më shumë me paratë që marrin, duke lënë pas burrat në aspektin e produktivitetit të kapitalit dhe gjenerojnë 96% të ardhura më shumë për çdo euro financim që marrin.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë u themelua 7 vite më parë, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Synimi ishte thyerja e paragjykimeve dhe pengesave në origjinën e hendekut që ekziston ende në botën e kërkimit, ku burrat mbizotërojnë dukshëm.

Në faqen kushtuar kësaj dite, Kombet e Bashkuara shkruajnë se gratë përbëjnë vetëm 33% të kërkuesve dhe janë të pranishme në vetëm 12% në Akademitë Shkencore. Kjo pabarazi do të shfaqet edhe në të ardhmen nëse merret parasysh se sa pak përfaqësohen gratë në sektorët në zhvillim, si Inteligjenca Artificiale, ku vetëm një në pesë profesionistë (22%) është grua. Numri i grave që diplomohen në inxhinieri është 28% dhe në informatikë 40%.

Dhe pikërisht sot, pas 15 vitesh, dy gra fitojnë çmimin Wolf për Kiminë në 2022. Bonnie Bassler, nga Universiteti i Princeto dhe Carolyn Bertozzi, nga Universiteti i Stanford, ndajnë çmimin me Benjamin Cravatt, nga Scripps Research në Kaliforni.

Gruaja e fundit që e ka fituar këtë çmim është Ada Yonath në 2006-2007. Tre kërkuesit vlerësohen për kontributin e rëndësishëm në kuptimin e mekanizmave të komunikimit celular. / ANSA