Parlamenti i Kosovës miratoi në fillim të këtij viti projektligjin për Gjykatën Komerciale, përmes së cilës synohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fushën e biznesit. Ekspertët thonë se një gjykatë e tillë do të sjellë përfitime të shumta, ndër të tjera edhe përmirësim të klimës për investime të huaja në Kosovë.
Fabrika e letrës higjienike “Flutura Eurokosova” ka 11 vjet që përballet me një lëndë në gjykatë. Gojart Kelmendi nga kjo kompani i tha Zërit të Amerikës se zvarritja e këtij procesi gjyqësor i ka shkaktuar një humbje prej rreth gjysmë milioni euro.
“Me këtë zvarritje kompania jonë është dëmtuar sepse kemi pasur plane për zhvillim ekonomik të kompanisë edhe në lëmi të tjera, gjë që është pamundësuar me këtë zvarritje të lëndës”, thotë ai.
Grumbullimi i lëndëve është një ndër sfidat kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Në fillim të këtij viti parlamenti i vendit miratoi projektligjin për Gjykatën Komerciale, me synim rritjen e efikasitetit gjyqësor për mosmarrëveshjet në fushën e biznesit.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë se përfitimet nga një gjykatë e tillë janë të shumëfishta.
“Të kemi një mekanizëm të veçantë gjyqësor në të cilin mund të trajtohen kontestet e natyrës komerciale pashmangshëm që do të përmirësoj ndër të tjera edhe zbatueshmërinë e kontratave, edhe raportet ndërbiznesore e sidomos trajtimin e kontesteve, meqenëse në fund të fundit kontestet mund të jenë edhe të pashmangshme por kjo rritë edhe sigurinë juridike të të bërit biznes në Kosovë”, thotë ai.
“Gjykata Komerciale është mëse e nevojshme, ndërmarrjet në Kosovë janë duke lënguar shkaku i moszgjidhjes së rasteve në gjykatën ekonomike. Shpresojmë sa më shpejtë të filloj Gjykata Komerciale, të shtohet numri i gjyqtarëve dhe lëndët sa më parë të përfundojnë”, thotë zoti Kelmendi.
Zoti Zeka thotë se hyrja në fuqi e kësaj gjykate do të sillte edhe më shumë investime të huaja në Kosovë.
“Pashmangshëm që përmirësimi i sigurisë juridike përmes një mekanizmi të tillë gjyqëor siç është Gjykata Komerciale patjetër që do të ulë ose reduktoj pasigurinë juridike në këtë rast dhe do të jetë faktor vendimmarrës për investitorët e jashtëm”, thotë ai.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Gjykata Komerciale është zgjidhje e mirë por vetëm pas plotësimit të disa kushteve.
“E para që numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë të plotësohet, të ketë trajnime e specializime për gjyqtarët në mënyrë që të njëjtit të jenë në gjendje t’i trajtojnë lëndët brenda një afati sa më të shkurtë kohor, si dhe e fundit që kjo gjykatë e re ta ketë integritetin e pakontestuar, në mënyrë që lëndët të cilat i trajton mos të jenë subjekt i animeve apo thjeshtë që lëndët të trajtohen në bazë të asaj se kush e ka parashtruar kërkesën”, thotë ai.
Megjithatë, thotë zoti Miftaraj, mundësia më e afërt e funksionalizimit të kësaj gjykate është në vitin 2024.
“Qeveria e Kosovës përmes projektligjit për buxhetin i cili ka hyrë në fuqi me një janar të këtij viti nuk ka paraparë buxhet shtesë për pozitat gjyqtar apo staf mbështetës, prandaj në bazë të ligjit për Gjykatën Komerciale së pari duhet të bëhet rekrutimi i gjyqtarëve që si duket këtë vit do të jetë vështirë, pastaj të miratohen rregullat e brendshme lidhur me funksionimin e gjykatës dhe pastaj trajnime të vazhdueshme për së paku 6 muaj”, thotë ai.
Sistemi gjyqësor në Kosovë vetëm në vitin 2021 ka pranuar mbi 50 mijë lëndë të reja që nuk kanë mundur të përfundohen, derisa në janar të këtij viti ky sistem ka nisur punën me rreth 220 mijë lëndë gjithsej.