Sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është diskutuar edhe për kërkesën për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka thënë se duhet të vendoset një tavan për shpenzimet mujore të një deputeti, ndërkohë që kjo si kërkesë u drejtua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, e cila parasheh heqjen e kompensimit të deputetëve për derivate.
Kusari Lila poashtu kërkoi që kompenzimet për shpenzimet telefonike të zbriten 50 për qind si dhe të mos ketë kompenzime shtesë për deputetët.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se kjo kërkesë e Kryetarit të Kuvendit është e paqartë, ndonëse kërkoi nga grupet e tjera parlamentare që të diskutohet më shumë kjo çështje.
Tutje, kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se ai është pro që të hiqen kompenzimet për naftë dhe kafe dhe kërkon që komisioni të marrë një vendim për këtë çeshtje.
“Nuk është mirë që deputetët t’i mbikëqyrin shumë institucione për shpenzime, e në anën tjetër deputetët të shpenzojnë për derivate pa kontroll. Unë jam që të hiqen kompensimet për naftë dhe kafe”, ka thënë ai.
Ndryshe, Komisioni ka krijuar një Grup Punues prej pesë anëtarësh lidhur me Projektligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore./Buletini Ekonomik/