Kosova më 2021 eksportoi rreth 265 mijë kilogramë linjit

Nga 8 mijë kilogramë më 2020, në afro 265 mijë më 2021… Këto janë të dhënat nga statistikat më të fundit të eksportit të linjitit në Kosovë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në një raport ku saktësohen Bilancet e Energjisë përgjatë viteve.

Kosova gjatë vitit 2021 ka ekportuar nëpër vendet e jashtme gjithsej 264 mijë e 875 kilogramë linjit, që është një dallim i madh nëse marrim parasysh shifrën e ulët të eksportit të lëndës së njëjtë më 2020. Madje, vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2021 (TM4), vendi ynë eksportoi 71 mijë e 171 kilogramë linjit.

Përveç eksportit, Kosova prej së njëjtës lëndë, gjatë vitit 2021, kishte importuar rreth 64 mijë kilogramë.

Reklama e sponzorizuar

Siç e dijmë, linjiti është lëndë djegëse fosile, një nga llojet e ndryshme të qymyrit, të cilin Kosova e posedon me bollëk. Aktualisht, rreth 94 për qind e të gjithë energjisë elektrike në Kosovë, gjenerohet pikërisht nga linjiti, përcjell Buletini Ekonomik.

Në krahasim me vitin 2020, kur eksporti i kësaj lënde ishte vetëm 8 mijë e 728 kilogramë, në vitin 2021, sasia e eksportuar e linjitit u rrit për 256 mijë e 147 kilogramë. Kurse, në vitin 2019, Kosova kishte eksportuar 27 mijë e 229 kilogramë linjit.

Gjithashtu, edhe shifrat e eksportit të biomasës më 2021, arritën në shifrën më të lartë të eksporteve për vitet e fundit. Kështu, vetëm në vitin 2021, Kosova eksportoi 3 mijë e 471 kilogramë biomasë, derisa eksporti i njëjtë më 2020 ishte vetëm 143 kilogramë.

Ndërkohë, Kosova viteve të fundit ka filluar të eksportojë edhe koks nafte, që vetëm më 2021 u eksportuan 9 mijë e 130 kilogramë të kësaj lënde, që në krahasim me 2020-n, është për njëfish më e lartë, pasi më 2020 vendi kishte eksportuar 8 mijë e 637 kilogramë koks.

Ndërsa, sa i përket importit të kësaj lënde, Kosova më 2021 kishte importuar gjithsej 86 mijë e 275 kilogram koks nafte.

Përpos këtyre lëndeve djegëse që kishte importuar dhe eksportuar Kosova gjatë vitit 2021, kjo e fundit kishte importuar edhe 23 mijë e 538 kilogramë mazut, që kryesisht përdoret për ngrohje ndonëse është një lëndë djegëse që e ndotë ajrin shumë. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/