Në Prishtinë tashmë edhe qiratë e banesave me çmime të ngritura

Fotografi ilustruese

Është ngritur këtyre ditëve edhe çmimi i qirasë së banesave, që ka ndikim të drejtpërdrejtë te tkurrja e mirëqenies sociale të një kategori e konsiderueshme qytetarësh

Nëse dikush, qoftë ekspert, profesionist apo fare laik, do të bënte këtyre ditëve një vëzhgim fare të përcipët lëvizjeve të çmimeve në kryeqytet, do të vrejë lehtësisht që nuk ka sektor qoftë të prodhimit, qoftë të shërbimeve që nuk ka ngritje enorme të çmimeve. Tashmë dominojnë çmimet e ngritura egërsisht jo vetëm te derivatët e naftës e te produktet elementare ushqimore, por edhe te të gjitha mallrat e tjera dhe te shërbimet prej më të ndryshmeve.

Është ngritur këtyre ditëve edhe çmimi i qirasë së banesave, që ka ndikim të drejtpërdrejtë te tkurrja e mirëqenies sociale të një kategori e konsiderueshme qytetarësh. Dhe, kjo kategori e kosovarëve që paguajnë qira për banesë as nuk është numerikisht e paktë, as nuk është me gjendje të lakmueshme sociale.

Reklama e sponzorizuar

Një qytetare në Prishitnë, në kushte anonimiteti tha për Buletinin Ekonomik se çmimi i qirasë së baneses i është rritur për 50 euro dhe muajin e ardhshëm, pra për muajin korrik ai do të paguaj ndjeshëm më shumë në emër të qirasë së banimit. Ajo tha së pronarët këtë rritje çmimi të qirasë e ndërlidhin dhe e arsyetojnë me rritjen e fundit të çmimeve të banesave, si rrjedhojë e çmimeve të ngritura tej mase të materialeve të ndërtimit. Sipas qiradhënësve, çmimi i ngritur në përqindje jot ë vogëla të një metri katror të banesave ka ndikim direkt te qiraja dhe kjo ka pamundësuar që qiratë të jenë me çmimin e njejtë të mëparshëm.

Prishtinasja ka saktësuar se paralajmërimi për rritje të qirasë është bërë në këtë muaj ndonëse, siç thekson ajo, është një përiudhë shumë e shkurtër kohore dhe lëvizja e çmimit kaq shumë duhet paralajmëruar shumë kohë më heret. “Para dy tri dite me ka telefonuar pronari i banesës dhe me ka thënë se nga muaji i ardhshëm çmimi për pagesë do të jetë 250 euro nga 200 sa e kisha deri më tash”, ka thënë ajo.

Buletini Ekonomik sot ka vizituar dhe ka kontaktuar disa agjencione të patundshmërive në Prishtinë të cilët poashtu kanë konfimuar rritjen e qirave dhe të banesave për shitje. Sipas tyre, ngritja e çmimeve të banesave është bërë për faktin e rritjes se materialeve të ndërtimi dhe rritjes goxha evidente të çmimit të  tokave, që u jepen, apo u shiten ndërtimtarëve për të ndërtuar ndërtesat me banesa  për shitje.n

Ndërsa çmimet e reja të qirave, sipas vlerësimit të tyre, “është një rritje shumë e lehtë dhe nuk është së vrehet edhe aq”, edhe pse bëhet fjalë për së paku për njw të katërtën, ose një të pestën e ngritjes së çmimit të qirasë, krahasuar me atë të deritashmin./Blendrita Avdiu/(Buletini Ekonomik)