KOSTT dhe KEK dalin me deklaratë të përbashkët rreth rënies së njësive A3 dhe A5 në termocentralin ‘Kosova A’

Termocentrali "Kosova A"

Ndërmarrjet KOSTT dhe KEK kanë dalë me një deklaratë të përbashkët rreth shkaqeve që çuan në rënien e paplanifikuar të dy njësive prodhuese në termocentralin ‘Kosova A’, ditë më parë.

Sipas një njoftimi për media, nga KEK dhe KOSTT kanë bërë të ditur se dy njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5) kanë rënë nga sistemi si rezultat i lidhjes së shkurtër në stabilimentet e tensionit të lartë – 220 kV, asete të KOSTT-it.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftim theksohet se “ky është një konstatim i përbashkët nga ekspertët e dy kompanive KEK dhe KOSTT, dhe tregon se nuk ka vend për dyshime dhe veprime të qëllimshme por e gjitha që ka ndodhur është si rezultat i problemeve teknike dhe më pastaj në përputhje të plotë me veprime të procesit teknologjik në mbrojtje të gjeneratorëve dhe sistemit elektroenergjetik për rastet kur paraqitet një avari e tillë në stabilimentet e tensionit të lartë 220 Kv”.

Ndërkohë, pas përfundimit të raportit profesional nga ekspertët e dy palëve KEK dhe KOSTT, ata konstatojnë se “eliminohen dyshimet e pavend dhe përgënjeshtrohen të gjitha deklaratat e pabaza që u hodhën në opinionin publik kinse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm nga kushdo qoftë”.

Nga këto dy ndërmarrje, konfirmuan se të dyja njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5), bazuar në raportin e komisionit të përbashkët profesional KEK-KOSTT të dt. 26.01.2022, është vërtetuar se kanë rënë nga sistemi si rezultat i një avarie në sistem, përkatësisht në shkarkuesin e mbitensionit dhe më pas në izolatorin tërheqës 220kV që ka ndikuar në rënien e zbarrës kryesore të tensionit të lartë 220kV në asete të KOSTT. Sipas njoftimit, në këto zbarra ka qenë e lidhur edhe njësia A3 e TC Kosova A, e cila në momentin që është shkaktuar lidhja e shkurtër ka rënë nga sistemi duke ekzekutuar dhe zbatuar procesin për mbrojtje të gjeneratorëve, ndërkohë që njësia A5 si rezultat i luhatjes së madhe në sistem dhe ngarkesës me fuqi reaktive nuk ka arritur të qëndrojë në operim dhe për pasojë edhe ajo ka rënë nga operimi.

“Lidhur me këtë ngjarje, KEK dhe KOSTT apelon tek të gjitha palët që në të ardhmen të presin informatën dhe sqarimin zyrtar nga ekspertët e fushës, e gjithë kjo me qëllim të shmangies së paqartësive dhe keq informimit të opinionit”, përfundon njoftimi nga KOSTT. /Buletini Ekonomik/