Në seancën e sotme të Kvendit të Kosovës, deputetët me me 67 vota për kanë votuar pro dhënies së statustit si Investitor Strategjik, kompanisë ‘KOSMONTE FOODS’.
Ky propozim-vendim së pari ishte miratuar në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë që kishte ardhur si rekomandim nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike, dhe i njëjti ishte dërguar në Kuvend për votim nga deputetët, përcjell Buletini Ekonomik.
Më datë 29 shtator të viti 2021, ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari dhe kryeministri Albin Kurti, patën njoftuar se një kompani tjetër vendore ka fituar statusin e Investitorit Strategjik.
Sipas njoftimit të ministrisë atëherë, kompania më e re me këtë status ishte “Kosmonte Foods”, dhe vlera e investimit të saj në Kosovë do të arrijë deri në 11 milionë euro.
Sipas deklaratës së Hajdarit në shtator, këto investime do të kontribuohen direkt në rritjen ekonomike të vendit dhe punësimin e rreth 300 personave.
Ndërsa sot, Hajdari shtoi se si investitor strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, kompania Kosmonte Foods do të zbatojë dy projekte. Projekti i parë i tyre, sipas saj do të jetë fabrika për përpunimin e pemëve dhe perimeve që përfshijnë zgjerimin e kapaciteteve për ruajtjen dhe prodhim në sipërfaqe prej 16 mijë e 200 metra katror.
“Projekti i dytë është kompleksi si fabrikë për përpunimin e mishit të shpezëve me sipërfaqe rreth 12 mijë metra katrorë. Vlera e investimeve të zotuara arrijnë në 11 milionë e 143 mijë euro dhe priten të punësohen rreth 300 persona”, është shprehur ministrja Hajdari sot në Kuvend. /Buletini Ekonomik/