ZKA fillon auditimin e menaxhimit të pagave që dalin nga Thesari i shtetit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se në sezonin e tanishëm auditues 2021/2022, ka filluar me auditimin e teknologjisë së infomacionit për “Sistemin për Menaxhimin e Pagave” në Thesarin e Kosovës.

Sipas ZKA-së, ky sistem ka rol kyç në menaxhimin e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë, dhe ku rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore të Republikës së Kosovës shkojnë pikërisht për paga, përcjell Buletini Ekonomik.

Procesit të këtij auditimi, siç thotë edhe ZKA, do t’i nënshtrohet Thesari i Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë se Financave, Punës dhe Transfereve, dhe fokusi kryesor do të jetë në Divizionin e Menaxhimit të Pagave, i cili është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik për Menaxhimin e Pagave si dhe departamente tjera të ndërlidhura me procesin e pagave.

Reklama e sponzorizuar

ZKA thekson se objektiv i këtij auditimi do të jetë vlerësimi nëse ekziston një mjedis efektiv i kontrollit që siguron se Sistemi për Menaxhimin e Pagave mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë.

“Duke marrë parasysh rendësinë e këtij sistemi dhe menaxhimin efektiv të procesit të pagave, është e nevojshme që Thesari të ketë të vendosura strukturat, proceset dhe mekanizmat e nevojshëm që sigurojnë se Sistemi për Menaxhimin e Pagave (Payroll) mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë”, thuhet në një njoftim për media nga ZKA.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje dhe bazuar në hulumtimet paraprake, ZKA tregon se fushat të cilat do të trajtohen në këtë auditim, janë:

– Qeverisja e TI-së që siguron nëse institucioni ka vendosur strukturat, proceset dhe ka identifikuar nevojat për funksionimin e sistemit,

– Operacionet e TI-së që sigurojnë se janë vendosur politikat e menaxhimit të ndryshimeve dhe ekziston struktura e nevojshme për vazhdimësisë të sistemit, si dhe

– Kontrollet e aplikacioneve që sigurojnë se sistemi pranon të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë.

Tutje, Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson se përmes auditimit të “Sistemit për Menaxhimin e Pagave”, synohet që të ofrohen rekomandime relevante për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht Thesarin e Kosovës dhe përdoruesit e tjerë të sistemit, në mënyrë që të përmirësohet qasja e tyre në raport me menaxhimin, zbatimin dhe efikasitetin e këtij sistemi, si dhe ofrimin e informatave të sakta e të besueshme. /Buletini Ekonomik/