Maqedonia e Veriut e rrit pagën minimale në 300 euro

Sindikata dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë arritur të hënën në mbrëmje marrëveshjen për rritjen e pagës minimale nga 15,000 (250 euro) në 18,000 denarë (300 euro).

Marrëveshje u arrit pas negociatave që kanë zgjatur disa ditë për shkak të hezitimit të Qeverisë për të pranuar rritjen e kërkuara nga Lidhja e Sindikatave.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga muaji mars dhe do të përfshijë rreth 80,000 punëtorë të ndërmarrjeve të vogla, të sektorit të tregtisë dhe industrisë përpunuese.

Reklama e sponzorizuar

“Kemi premtuar dhe miratuam vendimin që ndihmojnë drejtpërdrejt standardin e jetesës. Në një vit krize, vit krize evropiane dhe botërore, ne mbetemi të fokusuar në mbështetjen financiare të qytetarëve. Tetëdhjetëmijë punëtorë do të përfitojnë nga vendimi i Qeverisë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Darko Dimovski nga Federata e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut tha se është i kënaqur me vendimin për ngritjen e pagës minimale, por sipas tij, me këtë do të rriten edhe të gjitha pagat tjera në përputhje me ligjin dhe me koeficientin dhe marrëveshjet kolektive.

Rritjen e pagave të tjera e kërkoi edhe partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE-. Opozita bëri të ditur se do të dorëzojë një propozim për ndryshim në Ligjin për pagën minimale, me të cilin do të kërkohet që pagat e tjera në sektorin publik, të rriten në përputhje me rritjen e pagës minimale.

Rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut sillet në rreth 29,000 denarë apo 475 euro.

Por, kundër vendimit për rritjen e pagës minimale ishin shprehur punëdhënësit, të cilët kërkuan subvencione nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve ndërsa vendimin e qeverisë e konsideruan si jo real.

“Rritja e pagës minimale nuk është reale, ajo është dyfishuar në 4 vitet e fundit dhe do të jetë një goditje e rëndë për sektorin privatin. Kjo rritje do t’i shkaktojë probleme disa kompanive dhe nuk do të ketë rritje të produktivitetit”, ka deklaruar Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.