Fundi i martesës së Bill dhe Melinda Gates, çfarë do të ndodhë me pasurinë e tyre?

Bill dhe Melinda Gates po i japin fund martesës së tyre pas 27 vitesh bashkë.

Dhe kanë qenë pikërisht Melinda Gates dhe bashkëthemeluesi i Microsoft ata që njoftuan të hënën divorcin e tyre, përmes një deklarate.

“Pas një mendimi të gjatë, ne kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës sonë”, thuhej në deklaratën e tyre. “Gjatë 27 viteve të fundit, ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që punon në të gjithë botën për t’ua mundësuar të gjithë njerëzve të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive”.

Reklama e sponzorizuar

Filantropistët thanë në deklaratë se ata planifikuan të vazhdojnë të punojnë së bashku në Fondacionin Bill dhe Melinda Gates.

Por çfarë do të ndodhë me pasurinë e tyre?

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, çifti u martua në vitin 1994, shtatë vjet pasi Melinda Gates u bashkua me Microsoft si menaxhere e produkteve.

Kur Bill Gates fillimisht i kërkoi asaj të dilnin bashkë, ai pyeti nëse mund të dilnin “dy javë më pas”.

Melinda Gates tha: “Nuk kam ide se çfarë do të bëj dy javë nga sonte”.

Por pasi i mori numrin, ai përfundoi duke e thirrur atë po atë ditë.

Ata kanë tre fëmijë së bashku dhe siç shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi, secili prej fëmijëve të Gates do të trashëgojë 10 milionë dollarë, ka thënë Bill Gates, dhe pjesa tjetër e pasurisë së Gates do të shkojë për bamirësi.

Në kohën kur u takuan, Microsoft kishte një kapital tregu prej rreth 35 miliardë dollarësh.

Tani, kjo shifër është pothuajse 2 trilionë dollarë dhe Microsoft është një nga kompanitë më të vlefshme në botë.

Bill Gates ka një vlerë neto të vlerësuar prej 124 miliardë dollarësh, e cila u rrit nga 98 miliardë dollarë në vitin 2020, sipas Forbes. Ai është nr. 4 në renditjen e miliarderëve në botë.
Forbes e quajti Melinda Gates një nga gratë më të fuqishme në filantropi, duke e vendosur atë në vendin e 5 në listën e saj “Power Women 2020”.

Melinda Gates ka ndryshuar emrin e saj në profilin e Twitter në Melinda French Gates, duke përfshirë emrin e saj të vajzërisë.

Ata kanë thënë prej kohësh se do të shpenzojnë pasurinë e tyre për kauza filantropike, veçanërisht përmes Bill and Melinda Gate Foundation.

Ata filluan organizatën në vitin 2000 dhe u kanë dhënë miliarda shëndetësisë globale, varfërisë dhe arsimit.

Fondacioni Bill dhe Melinda Gates ka dhuruar gjithashtu 250 milionë dollarë për përpjekjet e reagimit ndaj coronavirusit që kur filloi pandemia në mars të vitit 2020.

Në vitin 2010, ata filluan “The Giving Pledge” me investitorin miliarder Warren Buffett, një angazhim për të dhënë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre për bamirësi gjatë jetës së tyre ose premtimin për ta bërë për pas vdekjes së tyre.

Detajet rreth divorcit janë të paqarta, por kur CEO i Amazon, Jeff Bezos dhe gruaja e tij, MacKenzie, u ndanë në vitin 2019, “zgjidhja e tyre” ishte 38 miliardë dollarë.

Dhe marrëveshja e bëri MacKenzie Scott gruan e tretë më të pasur në botë.

Ndarja e Gates ka të ngjarë të çojë në pyetje nga ata në botën jofitimprurëse – duke pyetur se si, nëse do të ndikojë kjo – në vendimmarrjet e fondacionit rreth investimeve.