Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë deh Zhvillimit Rrural, Faton Peci, së bashku me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin e disa zyrtarë të tjerë, janë duke qëndruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, për ta përcjellur panairin “Expo Dubai 2020”, në të cilin është pjesmarrëse edhe shteti i Kosovës.
Në fjalimin e tij në Formunin e Biznesit në kuadër të panairit, ministri Peci iu bëri thirrje investitorëve të huaj, që të investojnë në Kosovë, pasi theksoi se Kosova është një ndër vendet me potencial të lartë për zhvillim të sektorit të bujqësisë dhe një ndër shtetet që ofron politika të favorshme financiare e bujqësore për investitorët e huaj në këtë sektor.
Duke prezantuar mundësitë për investime në sektorin e bujqësisë, Peci theksoi se cilësia e tokës bujqësore dhe klima e favorshme në Kosovë janë një plus i madh krahas pozitës strategjike, e cila i mundëson Kosovës të jetë vendi kyç për eksport në tregun e Bashkimit Evropian.
Kurse, si avantazh të vendit tonë, ai përmendi gjithashtu edhe rininë kosovare, e cila sipas tij është fuqia më e madhe punëtore, përcjell Buletini Ekonomik.
“Sipas disa analizave të realizuara më herët, Kosova është një ndër vendet me potencial të lartë për zhvillim të sektorit të bujqësisë, si komponenta e dytë më e rëndësishme për zhvillim ekonomik. Kjo sepse Kosova ka një pozitë strategjike që e lejon dhe e lehtëson exportin dhe njëherit posedon klimë të favorshme për kultivimin e një game të gjërë produktesh bujqësore. Jemi ithtarë të avancimit të sektorit të bujqësisë pasi që ky sektor është punëdhënësi më i madh në vend. Avantazh tjetër për investim në sektorin e bujqësisë është edhe mosha e re e popullsisë së Kosovës dhe fuqia e madhe punëtore”, ka thënë ministri.
Me këtë rast, ai ka prezantuar edhe politikat konkrete zhvillimore që janë duke i avancuar e përmes të cilave tha se synojnë ta avancojnë sektorin e bujqësisë.
Duke i ftuar pjesëmarrësit në këtë forum që të investojnë në sektorin e bujqësisë në Kosovë, Ministri shprehu gatishmërinë e tij që gjatë qëndrimit të tij të iniciojë edhe krijimin e bashkëpunimeve konkrete në këtë fushë edhe përmes rrugëve diplomatike.
Gjithashtu, në një postim në facebook të vet ministrit Peci, thuhet se Pavioni i Kosovës është një copëz e shkëputur nga Kosova dhe e sjellur në Expo Dubai, për t’i treguar botës se Kosova edhe pse një shtet i vogël i Gadishullit të Ballkanit, prodhon edhe talentë të shumtë si në sport, film e muzikë e njëherit ofron edhe mundësi për zhvillim ekonomik përmes investimeve në fusha dhe sektorë të ndryshëm. /Buletini Ekonomik/