Ministria e Bujqësisë gjatë marsit do të thërras fermerët për aplikim për subvencione

Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se se do të rritet mbështetja përmes subvencioneve për shumicën e kulturave bujqësore, të cilat përkrahen përmes Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022. Për kultivuesit e perimeve, mbështetja përmes subvencioneve planifikohet të rritet 100 për qind, në krahasim me vitet paraprake. MBPZHR-ja është zotuar se do të mbulojë 75 për qind të primit të sigurimit bujqësor  për shumë  kultura bujqësore

 Blendrita Avdiu

Pas rritjes së lartë të çmimeve të plehrave artificiale, Ministria e Bujqësisë thotë se inputet bujqësore, që në mesin e tyre janë edhe plehrat aritificiale, janë të liruara nga TVSH-ja, përjashtimisht disa insekticideve që janë të ngarkuara me TVSH, pasi disa prej tyre siç thonë nga kjo ministri, gjejnë përdorim edhe në amvisëri.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, nga MBPZHR-ja njoftojnë se gjatë muajit mars të këtij viti kanë planifikuar që të bëjnë edhe thirrjet për aplikim për subvencione, pasi ministria në fjalë thotë se tashmë ka finalizuar Programin e Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022.

Në kuadër të këtij programi, sipas një përgjigjie për Buletinin Ekonomik nga kjo ministri, thuhet se do të rritet mbështetja përmes subvencioneve për shumicën e kulturave bujqësore, të cilat përkrahen përmes këtij programi. Gjithashtu edhe për kultivuesit e perimeve, mbështetja përmes subvencioneve planifikohet të rritet 100 për qind, në krahasim me vlerën e subvencionimit që ishte në vitet paraprake.

“E gjithë kjo politikë është mbështetur duke u bazuar në potencialin që e ka ky sektor për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe për të përmirësuar bilancin tregtar duke ulur importin e produkteve bujqësore”, thonë ata.

Tutje, po në këtë program të Pagesave Direkte për vitin 2022, MBPZHR-ja është zotuar se do të mbulojë 75 për qind të primit të sigurimit bujqësor për kulturën e mollës, qershisë, misrit, fasules, dardhës, specave, kumbullës, mjedrës, vishnjës, dredhëzës, arrës, rrushit, si dhe primin e sigurimit tradicional bujqësor për kulturën e mollës – pemishteve intensive, specit – kultivimit intensiv, si dhe rrushit të verës.

“MBPZhR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte –Subvencioneve për vitin 2022 i ka përfshirë në grupet punuese të gjithë akterët, duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e fermerëve dhe në këtë rast kërkesat e tyre shqyrtohen dhe më pastaj edhe inkorporohen në programet vjetore konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi”, thuhet tutje në përgjigjiet e tyre.

Ndërkaq, sa i përket përgatitjeve për mbjelljet pranverore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thotë se me kohë i ka trajtuar të gjitha kërkesat nga kompanitë që kanë shprehur interesim dhe kanë aplikuar për t’u licencuar me qëllim që të kenë të drejtë të prodhojnë, importojnë dhe tregtojnë agro-inputet bujqësore që janë të nevojshme për mbjelljet pranverore.

Ata gjithashtu thonë se MBPZhR-ja me kohë e ka realizuar testimin dhe më pastaj regjistrimin e varieteteve të patates dhe hibrideve të misrit, që është i paraparë me Ligjin e Farërave dhe të gjitha ato varietete të patates dhe misrit që janë regjistruar dhe tani lejohen të prodhohen, importohen dhe tregtohen, janë të vendosura në Listën e Farërave të Kosovës, që ju shërbejnë të gjithë fermerëve si informatë dhe orientim se çfarë varietetesh të mbjellin.

Gjithashtu, MBPZHR-ja thotë se do të jetë shumë aktive në teren gjatë periudhës së mbjelljeve pranverore, përmes Departamentit të Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, me qëllim që t’iu ofrojë fermerëve këshilla të nevojshme për realizimin e suksesshëm të mbjelljeve pranverore./Buletini Ekonomik/