Ministria e Ekonomisë sot ka prezantuar komentet e saja dërguar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në lidhje me tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë.
Në fund të komenteve nga kjo ministri, ata u zotuan se Ministria e Ekonomisë do të punojë intensivisht për themelimin e Fondit për konsumatorët në nevojë, dhe që sipas tyre, i njëjti pritet të hyjë në zbatim tek në vitin e ardhshëm, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë në vend, Qeveria, ose më saktësisht Ministria e Ekonomisë, është zotuar që do të ndajë 75 milionë euro për ta zbutur sadopak efektin e krizës energjetike te konsumatorët.
“Me qëllim të zbutjes së efektit të krizës në tarifat e energjisë elektrike, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për alokimin e shumës prej 75 milionë € i cili është reflektuar në një skenar të propozimit të ZRRE-së për tarifat e reja të publikuar më datën 17 Janar 2021, duke marrë për bazë komentet në kuadër të këtij dokumenti”, thuhet në pjesën e fundit të raportit me komente nga kjo ministri.
Sipas ME-së, subvencioni i Qeverisë së Kosovës dedikohet për zbutjen e ndikimit të kostove të larta të blerjes së energjisë.
Tutje, Ministria e Ekonomisë thotë se tashmë Qeveria e Kosovës ka alokuar 10 milionë euro, efekti i të cilave, si dhe i ndryshimeve eventuale në përllogaritje pas pranimit të komenteve nga ZRRE, pritet që të reflektohet në raportin përfundimtar nga ZRRE. Kurse, pas marrjes së të dhënave të freskuara pas reflektimit të komenteve dhe këtij ndryshimi, ata thonë se do të përcaktohet shifra finale e subvencionit që mbetet të alokohet. /Buletini Ekonomik/