Murati pranon Strategjinë Shtetërore të BERZH-it për Kosovën, prioritet tranzicioni i ekonomisë së gjelbër

Ministri i Finacave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka pranuar sot Strategjinë Shtetërore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën (BERZH), strategji kjo që do të përfshijë projekte të ndryshme të kësaj banke për vitet në vijim, 2022-2027.

Murati këtë strategji e ka pranuar nga Udhëheqësi i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë, Neil Taylor.

Sipas një njoftimi për media nga Ministria e Financave, strategjia e cila zhvillohet në koordinim me institucionet vendore, identifikon fushat në të cilat BERZH-i është më së miri i pozicionuar për të ndihmuar Kosovën dhe paraqet konditat për zhvillimin e projekteve të reja me përkrahjen e BERZH-it gjatë viteve 2022-2027.

Reklama e sponzorizuar

Disa prej prioriteteve kryesore të kësaj strategjie, siç njoftojnë nga ministria, janë: zhvillimi i një sektori privat më konkurrues dhe gjithëpërfshirës për të mundësuar rritje ekonomike, mbështetja e tranzicionit të ekonomisë së gjelbër në Kosovë përmes diversifikimit të burimeve të energjisë dhe efikasitetit më të madh në përdorimin e burimeve, dhe mbështetja e integrimit rajonal infrastrukturor drejt tërheqjes së investimeve të huaja, përcjell Buletini Ekonomik.

“Ministri Murati me këtë rast vlerësoi lartë bashkëpunimin me BERZH-in, si një partner i fuqishëm për arritjen e objektivave të Qeverisë drejt zhvillimit dhe forcimit të performancës së sektorit privat në Kosovë, përkrahjes së tranzicionit drejt energjisë së pastër, përmirësimit të ambientit dhe zhvillimin infrastrukturor”, thuhet në njoftim. /Buletini Ekonomik/