Në ç’kohë dhe në ç’orë aplikohet tarifa e ulët e rrymës në Kosovë?

Në Kosovë, koha kur është në fuqi shpenzimi me të lirë të energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, nga data 1 tetor deri më 31 mars, është prej orës 22:00 deri në orën 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në orën 08:00.

Buletini Ekonomik

Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të miratuar në fillim të këtij muaj, më saktësisht më 8 shkurt, dhe të fuqizuar një ditë më pas për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nuk kanë mbetur shumë alternativa për një kategori jo të paktë numerikisht të konsumatorëve për t’i zbutur pasojat financiare të diktuara nga çmimet e reja të rrymës.

Reklama e sponzorizuar

Siç dihet, nga vendimi i ZRRE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, ata që shpenzojnë nën këtë shifër, nuk do të vërejnë edhe aq shumë ndryshime në faturë.

Alternativë e vetme për kosovarët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike për ta ruajtur xhepin e tyre, mbetet shfrytëzimi sa më racional i rrymës, ose më konkretisht kursimi, gjithkund ku është e mundshme. Dhe, mundësi ka. Në radhë të parë duhet racionalizuar përdorimi i mjeteve që shpenzojnë ndjeshëm më shumë energji elektrike, për të cilat tashmë Buletini Ekonomik në disa raste ka shkruar detajisht dhe që janë: bojleri, shporeti elektrik, lavatriçja dhe enëlarësja, frigoriferi, hekuri për hekurosje etj. Këto mjete elektrike të domosdoshme për një familje duhet shfrytëzuar sa më racionalisht, dhe domosdo në shumicën absolute të rasteve gjatë orëve të natës, kur energjia elektrike është goxha më e lirë edhe pas çmimeve të reja të ngritura.

Sipas njoftimeve të KEDS-it, në Kosovë, koha kur është në fuqi shpenzimi me të lirë të energjisë elektrike, ose kur aplikohet tarifa e ulët e rrymës, nga data 1 tetor deri më 31 mars, është prej orës 22:00 deri në orën 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në orën 08:00. Gjatë këtyre orëve, çmimi i energjisë elektrike është ndjeshëm më i ulët dhe nëse kosumatorët kosovarë i përmbahen këtij orari të përdorimit më të shpeshtë të pajisjeve të sipërpërmendura, gjithsesi, në fund të muajit do të paguajnë goxha më pak para për rrymën e shpenzuar. /Buletini Ekonomik/