OAK kundërshton vazhdimin e vendimit të BQK-së për tarifën e dorëzimit të parave të imëta

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), përmes një komunikate për media, kundërshtoi ashpër vazhdimin e vënies së tarifës nga ana e BQK-së për dorëzimin e monedhave metalike, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të kësaj të fundit.

OAK rikërkon gjithashtu nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe bordi i BQK-së ndryshime thelbësore në ekzekutiv në mënyrë që Banka Qendrore të ketë një politikë shumë më përkrahëse për biznesin se ajo që ka qenë deri më tani.

Reklama e sponzorizuar

OAK në kontinuitet ka shprehur shqetësim për mospunën e BQK-së dhe mosreagimin e saj në përputhje me nevojat e biznesit e sidomos gjatë kësaj kohe të pandemisë.

“OAK tash e disa vite vazhdimisht ka kërkuar që një tarifë e tillë duhet të largohet, sepse po dëmton rëndë bizneset të cilat operojnë me monedha metalike. Rrjedhimisht, po tatimohet valuta metalike dhe biznesit ju janë marrë 5% e monedhave metalike të dorëzuara nga qarkullimi i tyre. Bizneset në shumë raste nuk dalin në fitim nga 5% e qarkullimit, andaj si e tillë kjo tarifë është shumë e lartë. Si shembull për dorëzimin e 10.000 eurove para metalike në bankat komerciale, biznesit i merren 500 euro për këtë”, thotë OAK.

OAK thotë se bizneset që preken më së shumti nga ky vendim janë furrat e bukës, marketet, dyqanet e vogla etj, që më së shumti kanë punë me monedha metalike, e të cilat operojnë me marzha shumë të ulëta të fitimit, duke iu shkaktuar kështu një barrë të madhe për këto biznese aplikimi i kësaj tarife.

“Kërkojmë që kjo tarifë të rishikohet edhe të jetë 0.0 %, sepse po përkeqëson klimën e të bërit biznes, operimin e biznesit që funksionon me këto monedha, tarifë kjo e cila po del të jetë shumë kushtuese”, vijoi OAK.

Kujtojmë se, Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro, sipas të cilit nga data 01.03.2022 ulet nga 5,00% në 3,75%.