Borxhi publik i Shqipërisë u rrit me 1.32 miliardë euro – Shifra më e lartë në një dekadë

Zyrtarisht, sipas shifrave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, borxhi publik i vendit është ngjitur në rreth 1.38 trilionë lekë gjatë vitit të kaluar, ose 11.5 mld euro, që është e barabartë me 78.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Gjatë vitit pararendës ndërkohës, në 2020-ën, borxhi publik i vendit fiksohej në rreth 1.22 trilionë lekë, ose 10.2 mld euro, e barabartë me 75.67% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, në harkun e një viti, borxhi publik i vendit është fryrë me plot 1.32 mld euro. Rritja vjetore e borxhit publik të Shqipërisë fiksohet kështu në rreth 13%, ose 2.48 pikë përqindje. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat zyrtare gjatë 10 viteve të fundit, dhe rezulton se rritja prej 13%, ose me 1.32 mld euro e stokut të borxhit publik është më e larta në këto 10 vite. Në terma nominalë, rritja e dytë më e lartë është ajo e vitit 2014, me 10.4% rritje vjetore.

Në terma më të thjeshtuar, në rast se do ta shprehim për frymë, borxhi i Shqipërisë gjatë vitit të kaluar është rritur me 487 euro për çdo individ, për të prekur shifrën e 4070 eurove borxh për frymë. Kjo është padiskutim shifra më e lartë e regjistruar në 10 vitet e fundit, si në terma absolutë, ashtu edhe në terma nominalë. Gjatë vitit 2020, borxhi publik për frymë rritej me 346 euro, që është edhe norma e dytë më e lartë pas vitit 2021, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Viti 2014 ndërkohë regjistron shifrën e 3-të më të lartë, me një rritje vjetore prej 270 euro për frymë.

Reklama e sponzorizuar

/SCAN INTELLIGENCE UNIT/